Familja Biden nën hetime për transaksione të dyshimta, ftohet për të dëshmuar ish-ministri serb Jeremiq - NACIONALE

Familja Biden nën hetime për transaksione të dyshimta, ftohet për të dëshmuar ish-ministri serb Jeremiq

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Komisioni për Mbikëqyrje dhe Përgjegjësi i Kongresit Amerikan, është duke hetur lidhjet e presidentit amerikan Joe Biden me disa transaksione dhe praktika të caktuara të biznesit ndërkombëtar dhe vendas, të cilat mund të kenë sjellë miliona dollarë për familjen e Biden.

Lidhur me këtë çështje, është publikuar një letër që i është dërguar ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, nga Kongresi Amerikan, në të cilën i kërkohet që t’i ofrojë komisionit dokumente në lidhje me Biden dhe familjen e tij.

Në letrën e dërguar për Jeremiq, më 21 shkurt 2023, shkruhet se: “Rishikimi i dëshmisë nga Komiteti në ndjekjen penale federale - Shtetet e Bashkuara v. Patrick Ho - dhe dokumente të tjera tregojnë se ju keni të dhëna dhe informacione në lidhje me marrëdhëniet e biznesit me jashtë të familjes Biden”.

Më tej, aty thuhet se i pandehuri, Patric Ho - më herët kreu i CEFC China Energy (CEFC), me operim në ShBA, në pronësi të shtetit kinez - i dënuar për ryshfet ndërkombëtar dhe pastrim parash në vitin 2018, i është ofruar familjes Biden në mënyrë që të zgjerojë portofolin e kompanisë kineze të energjisë në Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me këtë hetim, Komisioni ka kërkuar nga Vuk Jeremiq, që të japë dokumente të caktuara në lidhje me kompaninë kineze CEFC, Robert Hunter Biden, James Biden dhe për bashkëpunëtorët e tyre të biznesit.

Ndërsa, më tej tregohet se Patric Ho, është dënuar me 3 vjet burg nga Departamenti i Drejtësisë për rolin e tij në skemën ndërkombëtare të ryshfetit. Komisioni kujton se Vuk Jeremiq ka qenë si dëshmitar në atë gjykim, ndërsa ka tregur për marrëdhëniet e tij të biznesit me disa zyrtarë të CEFC-së, përfshirë Patric Ho, i cili ka pasur lidhje me Partinë Komuniste të Kinës.

“Gjatë gjyqit Patrick Ho, ju dëshmuat se CEFC ju pagoi qindra mijëra dollarë çdo vit për të vepruar si "konsulent" dhe nga ana tjetër, ju do të "hapnit dyert" duke prezantuar punonjësit e CEFC-së tek liderët e biznesit dhe politikës në vende të ndryshme.”

Më tej, thuhet se Jeremiq është përpjekur që të prezantojë kryetarin Ye të CEFC me Hunter Biden dhe bashkëpunëtorët e tij.

Sipas dokumentit, Komisioni është duke hetuar mbi atë nëse Biden ka qenë në dijeni ose jo për sipërmarrje të caktuara të biznesit të huaj, që kanë përshirë zyrtarë të CEFC-së, përfshirë kreun Ye Jianming, ndërsa thuhet se provat kanë treguar se Jeremiq ka zhvilluar një marrëdhënie biznesi me Hunter Biden dhe bashkëpunëtorët e tij dhe ka komunikuar me ta rreth CEFC.

Duke vënë në fokus se dyshohet që Hunter Biden, ka zhvilluar një marrëdhënie biznesi fitimprurëse me kreun e kompanisë kineze, gjatë kohës që Joe Biden ka qenë zvëendëspresident, në letrën e dërguar thuhet se Komisioni beson që Jeremiq posedon komunikime me punonjës të kompanisë kineze në lidhje me Hunter Biden.

“Për shembull, ju keni dëshmuar në lidhje me një email - mes jush dhe Patrick Ho - ku po organizonit një darkë mes jush kreut kinez Ye dhe një personi tjetër në Uashington, D.C. më 6 dhjetor 2016,” thuhet në letër, ndërsa Jeremiqit i kërkohet të tregojë nëse “personi tjetër” ka qenë Hunter Biden.

Lajme të ngjashme