Facebooku dhe Instagrami mund të vendosin tarifa për shërbime pa reklama brenda BE-së
Kompania “Meta” është duke e shqyrtuar vendosjen e tarifave për përdoruesit në BE prej 13 eurosh në muaj për të pasur qasje në versionin pa reklama të rrjeteve Instagram e Facebook në telefonat e tyre, përderisa po ballafaqohet me presion nga rregullatorët për mënyrën e shfrytëzimit të të dhënave të përdoruesve.
Sipas burimeve të afërta me diskutimet, “Meta” është duke e shqyrtuar tarifën prej 17 eurosh në muaj për t’i përdorur Instagramin dhe Facebookun pa reklama në kompjuterë. Qasja në dy aplikacionet në telefona të mençur do të kushtonte rreth 19 euro në muaj, raporton gazeta “The Guardian”.
Kompania e njohur është duke i shqyrtuar këto ndryshime pas një vendimi në korrik nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që është më e larta në BE. Gjykata me seli në Luksemburg ka deklaruar se sipas Rregullores së Evropës për Mbrojtjen e të Dhënave të Përgjithshme, Facebooku nuk mund ta justifikojë përdorimin e hollësive personale për të vënë në shënjestër njerëz me reklama të personalizuara, nëse nuk e merr pëlqimin e tyre paraprakisht.
“Meta” është duke i diskutuar planet e saj me Komisionin për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë, e cila e rregullon biznesin në mbarë BE-në, për shkak se baza rajonale e kompanisë ndodhet në Dublin, dhe me zyrtarë evropianë në Bruksel.