Evropa në përvëlim: Përhapen zjarret në Bordo, një pilot zjarrfikës vdes në Portugali - NACIONALE

Evropa në përvëlim: Përhapen zjarret në Bordo, një pilot zjarrfikës vdes në Portugali

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Era e fuqishme dhe moti i nxehtë e i thatë po i vështirësojnë përpjekjet e zjarrfikësve francezë për të vënë nën kontroll një zjarr të madh në natyrë, që po përhapet të shtunën në pyjet me pisha në rajonin e Bordosë për ditën e pestë radhazi. Zjarre kanë shpërthyer edhe në disa vende të tjera evropiane.

Gjendja goxha e rëndë është në Portugali, ku një pilot zjarrfikës vdiq të premten, kur aeroplani i tij u rrëzua gjatë një operacioni për fikjen e zjarreve në verilindje të vendit. Ky ishte rasti i parë fatal nga zjarret këtë vit në Portugali, ku mbi 160 persona janë lënduar e qindra njerëz u detyruan që të zhvendosen nga disa qyteza këtë javë.

Periudha e zjarreve ka prekur disa pjesë të Evropës më herët se zakonisht këtë vit pas pranverës së thatë e të nxehtë. Autoritetet thonë se ky mot është pasojë e ndryshimeve klimatike, shkruan agjencia "Associated Press".

Rreth 3.000 zjarrfikës, të mbështetur nga aeroplanët që bartin ujë, po luftojnë kundër zjarreve në jug të Francës, njoftoi presidenti Macron. Greqia i dërgoi vendit mik pajisje të zjarrfikësve për ta ndihmuar në këtë situatë. Mbi 11.000 njerëz janë evakuuar nga fshatrat dhe zonat e kampimit.

Zjarrfikësit arritën që ta vinin nën kontroll njërin ndër zjarret më të rënda gjatë natës, afër distriktit bregdetar, Arcachon, vend i popullarizuar turistik për turistët evropianë, njoftoi të shtunën shërbimi emergjent rajonal.

Gjendje e ngjashme është edhe në Portugali, ku mbi 3.000 zjarrfikës po bëjnë përpjekje bashkë me banorët e rëndomtë që t’i shpëtojnë shtëpitë nga disa zjarre në natyrë, të nxitura nga temperaturat e larta dhe moti i thatë. Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se dhjetë zjarre qenë duke u përhapur të premten.

Televizioni shtetëror portugez raportoi të premten se sipërfaqja e djegur këtë vit tashmë është më e madhe se sipërfaqja e djegur gjatë tërë vitit të kaluar. Sipas këtij televizioni, mbi 30.000 hektarë janë djegur, shumica javën e kaluar.

Spanja, Kroacia dhe Hungaria, gjithashtu, janë ballafaquar me zjarre në natyrë këtë javë. Zjarre pati edhe në Kaliforninë e largët e në Marok. Shumë shtete evropiane po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta.

Autoritetet portugeze thanë se një temperaturë rekorde për muajin korrik – 47 gradë – është regjistruar të mërkurën në qytezën veriore, Pinhao.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Meteorologjisë e ka lëshuar alarmin e kuq për nxehtësi ekstreme për të hënën dhe të martën, ku temperaturat në jug të Anglisë pritet të shkojnë në 37 gradë./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme