Evropa duhet të marrë përgjegjësi për sigurinë e vet, thotë ministri polak
Evropa duhet “të marrë përgjegjësi” për sigurinë e vet, u ka thënë Polonia shteteve të tjera të BE-së, përderisa Varshava e merr presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian në kohën e shtimit të paqartësisë gjeopolitike.
Polonia e ka filluar presidencën gjashtëmujore të BE-së në kohën kur republikani Donald Trump po përgatitet për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pasi ka premtuar se do ta sjellë fundin e negociuar të luftës së Rusisë në Ukrainën fqinje dhe ka kërcënuar se mund ta marrë nën kontroll me forcë ishullin e Grenlandës, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ka vetëdije në mesin e vendeve evropiane se muajt e ardhshëm do të jenë kohë shumë e vështirë… Për këtë arsye, ne mendojmë se ky moment në veçanti është koha e duhur për të thënë me zë se është momenti që të marrim përgjegjësi për të ardhmen tonë dhe për sigurinë tonë” – tha ministri për Evropën i Polonisë, Adam Szlapka, në një intervistë me gazetën britanike në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme në Varshavë.
“Siguria është diçka për të cilën ne duhet të mendojmë çdo ditë” – tha ai, duke shtuar se Polonia e përcakton sigurinë evropiane në terma të gjerë. “Nuk ka të bëjë vetëm me fuqizimin e kapaciteteve tona të industrisë së mbrojtjes. Ka të bëjë edhe me sigurinë e brendshme… për sigurinë energjetike dhe sigurinë ekonomike” – deklaroi ministri polak.
Në listën e prioriteteve gjatë presidencës polake të BE-së përfshihet luftimi i dezinformatave, por kjo duket kryesisht e drejtuar kundër Moskës, më shumë sesa ndaj miliarderit Elon Musk dhe gjigantëve amerikanë të rrjeteve sociale.
Se si evoluojnë marrëdhëniet me administratën e presidentit Donald Trump mund të përfundojë si aspekti më i rëndësishëm i gjashtë muajve të presidencës polake të BE-së.