Evakuime masive në Belgorod të Rusisë, zbulohet një bombë e pashpërthyer
Dy ditë pas shpërthimit të një bombe të hedhur aksidentalisht nga një avion rus në qytetin rus Belgorod, dita e sotme është shoqëruar me evakuime masive pasi në qytet është zbuluar edhe një bombë e pashpërthyer.
Shpërthimi i së enjtes dëmtoi një numër ndërtesash e la të plagosur disa njerëz, ndërsa aktualisht nuk dihet nëse bomba e gjetur të shtunën ka rënë nga i njejti avion rus.
Është bërë e ditur se më shumë se 3,000 njerëz janë evakuuar tashmë nga shtëpitë e tyre, pasi guvernatori lokal, Vyacheslav Gladkov, ka konfirmuar në Telegram se derisa të “hiqej bomba”, 17 ndërtesa banimi duhej të rrethoheshin "brenda një rrezeje prej 200 metrash", duke prekur 3,000 banorë.
Pajisja e pashpërthyer është gjetur në të njëjtën zonë me bombën që u hodh aksidentalisht të enjten në mbrëmje, duke lënë një krater të madh rreth 20 metra të gjerë afër qendrës së qytetit.
Pas këtij incidenti, ministria ruse e Mbrojtjes pranoi se një nga avionët e saj Su-34 kishte "shkarkuar aksidentalisht mjete avionësh" mbi qytet.
Pamjet dramatike të CCTV të shpërthimit të së enjtes tregojnë një objekt që ulet pranë një udhëkryqi me makina që kalonin dhe shpërthen rreth 18 sekonda më vonë.
Ky nuk është incidenti i parë i ngjashëm, pasi edhe tetorin e kaluar një avion luftarak Sukhoi - përsëri, një Su-34 - ishte rrëzuar në qytetin rus të Yeysk duke lënë të vrarë të paktën 13 persona.
Gjatë rrugës për Ukrainë, avionët rusë fluturojnë rregullisht mbi Belgorod, një qytet me 370,000 banorë.

