Duke i kërkuar bashkëluftëtarët, ukrainasit thonë se kanë gjetur qindra trupa të rusëve
Ekipet ushtarake ukrainase të kërkimit janë ngarkuar me një detyrë aspak të lehtë: hulumtimi i fushës së betejës për të gjetur luftëtarë të rënë.
Gati 14 muaj pas fillimit të luftës, ekipet kanë gjetur pak më pak se 500 trupa të ushtarëve ukrainas, tha të shtunën një komandant, raporton televizioni CNN.
Koloneli Volodymyr Liamzin, i cili e udhëheq Departamentin Qendror për Bashkëpunim Civil - Ushtarak të Shtabit të Përgjithshëm, tha se ekipet e tij kanë hulumtuar gati 600 vende gjatë kërkimit të trupave të zhdukur.
Ai shtoi se operacioni i kërkimit dhe i marrjes së trupave përfshin grumbuj të ndërlikuar detyrash dhe përfshin xhenierë që e hulumtojnë terrenin për mina dhe mjete të tjera shpërthyese. Ai theksoi se lëvizja e civilëve nëpër zonat afër vijës së frontit nuk është veprim i sigurt.
"Fatkeqësisht, ka raste të shpërthimeve dhe lëndimeve, prandaj ka logjikë që vetëm grupet ushtarake të punojnë në linjën e kontaktit"- tha koloneli ukrainas.
Ekipi ka gjetur rreth 500 trupa të ushtarëve rusë që nga fillimi i luftës, njoftoi ai. Ushtria ukrainase është duke e përgatitur kthimin e tyre në Federatën Ruse, sipas komandantit.
Vijat e frontit në pjesët lindore e jugore të Ukrainës kanë lëvizur disa herë muajve të fundit, prandaj nuk është e pazakontë që ekipet ukrainase të kërkimit të hasin në kufoma të rusëve.
