Rusia pretendon se trupat ukrainase në Bakhmut janë rrethuar
Rusia pretendoi të premten se trupat ukrainase në qytetin e vijës së frontit, Bakhmut, janë rrethuar.
Luftëtarët e grupit "Wagner" e kanë marrë kontrollin e rrugës së fundit që përdorej për furnizimin e ushtrisë ukrainase, duke e hequr mundësinë për dërgesa të mëtejme, tha Yan Gagin, përfaqësues i autoriteteve të vendosura nga Rusia në Donetsk.
Ukraina nuk reagoi menjëherë për këtë pretendim, raporton agjencia "Anadolu".
Forcat ruse qe disa muaj janë duke u përpjekur që ta marrin nën kontroll Bakhmutin, qendër logjistike në rajonin Donetsk të Ukrainës, i cili është pjesë e rajonit të industrializuar, Donbas.
Shefi i grupit "Wagner", Yevgeny Prigozhin, në fund të marsit pretendoi se beteja për këtë qytet pothuajse e ka shkatërruar ushtrinë ukrainase, por pranoi se luftimet e kanë dëmtuar edhe grupin e tij.
