Eskalon “lufta” për mediat publike në Poloni: Presidenti i bllokon fondet, ministri i vë në likuidim
Po eskalon përplasja mes presidentit Andrzej Duda e Qeverisë së re në Poloni për mediat publike.
Ministri i ri i Kulturës, Bartlomiej Sienkiewicz, ka vendosur që t’i vendosë në proces të likuidimit televizionin shtetëror, radion shtetërore e agjencinë shtetërore të lajmeve, njoftoi ai të mërkurën, duke e thelluar mosmarrëveshjen për të ardhmen e mediave të financuara me fonde publike pas ndryshimit të pushtetit, raporton agjencia “Reuters”.
Një koalicion pro-evropian, i udhëhequr nga tashmë kryeministri Donald Tusk, erdhi në pushtet në Poloni këtë muaj dhe nisi ndryshime në mediat shtetërore, për të cilat kritikët thonë se ishin bërë mjete propagande gjatë tetë viteve të partisë PiS në pushtet.
Këto ndryshime kanë nxitur kundërshtim të fuqishëm nga partia që deri më tani ishte në pushtet, e cila thotë se qeveria e re e ka anashkaluar procedurën normale parlamentare për zbatimin e tyre.
Lëvizja e së mërkurës vjen pas një vendimi të presidentit Andrzej Duda, aleat e partisë PiS tashmë në opozitë, për t’i bllokuar me veto propozimet e qeverisë së re për financimin e mediave publike.
“Për shkak të vendimit të Presidentit të Republikës së Polonisë për ta pezulluar financimin e mediave publike, unë vendosa që t’i vë në likuidim kompanitë Televizioni Polak SA, Radioja Polake SA dhe Agjencinë Polake të Lajmeve SA”- shkroi ministri i Kulturës në rrjetin X.
“Në situatën e tanishme, veprimi i tillë do ta sigurojë operimin e vazhduar të këtyre kompanive, do ta kryejë ristrukturimin e nevojshëm dhe do ta parandalojë pushimin nga puna të punëtorëve në kompanitë e lartpërmendura”- shtoi ai.
Ministri tha më tej se gjendja e likuidimit mund të tërhiqet në çfarëdo kohe nga pronari i kompanive, që është shteti.
Deputetja e partisë Pis, Joanna Lichocka, tha në rrjetin X se “qeveria e Tuskut po i shkatërron mediat polake”. “Ky është një akt që e dëmton shtetin”- shtoi ajo.