Erdogani eskalon pas vetos së ShBA-së për Gazën: Një botë tjetër është e mundshme, por pa Amerikën
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e dënoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas vetos së Shteteve të Bashkuara ndaj një rezolute me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim në Gaza, duke e përshkruar këtë organ ndërkombëtar si “këshill për mbrojtjen e Izraelit”.
“Që nga 7 tetori, Këshilli i Sigurimit është bërë një këshill për mbrojtjen e Izraelit”- tha presidenti turk, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“A është kjo drejtësi? Bota është më e madhe se pesë”- shtoi ai, duke iu referuar pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, të cilat e kanë të drejtën e vetos – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe.
“Një botë tjetër është e mundshme, por pa Amerikën. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin me paratë e pajisjet e tyre ushtarake. Hej, Amerikë! Sa do të paguash për këtë”- pyeti Erdogani.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit u përkeqësuan shpejt pas fillimit të luftës në Gaza në tetor. Nga ajo kohë, presidenti turk e ka kritikuar vazhdimisht Izraelin, madje duke e quajtur edhe “shtet terrorist”. Në anën tjetër, ai e ka mbrojtur Hamasin, duke thënë se ai është grup çlirimtar e jo organizatë terroriste.
Në javët e para të luftës, ai e kishte kritikuar edhe Bashkimin Evropian që nuk po kërkonte armëpushim në Gaza pavarësisht nga vrajsa e civilëve.
Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit e ka përçarë thellësisht komunitetin ndërkombëtar. Përderisa shumë shtete perëndimore kanë thënë se Izraeli ka të drejtë që ta mbrojë veten dhe ta luftojë Hamasin, në njërën anë, fuqitë lindore – Rusia e Kina – vendet arabe, Irani e disa shtete të Amerikës Jugore e kanë dënuar ofensivën ushtarake izraelite. Disa shtete i kanë tërhequr ambasadorët nga Tel Avivi ose i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në shenjë proteste.
Gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit, 13 nga 15 shtetet anëtare të këtij organi e përkrahën rezolutën e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe për armëpushim në Gaza. Vetëm Shtetet e Bashkuara e bllokuan me veto, ndërsa Britania e Madhe abstenoi.