Erdogani e kunjon Scholzin midis Berlinit: Borxhlinjtë s’mund të flasin lirshëm, unë po - NACIONALE

Erdogani e kunjon Scholzin midis Berlinit: Borxhlinjtë s’mund të flasin lirshëm, unë po

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dallimet e thella mes qëndrimeve të Turqisë dhe Gjermanisë rreth luftës Izrael – Hamas dolën prapë në pah të premten. Kjo ndodhi gjatë vizitës së presidentit turk, Rexhep Erdogan, në Berlin, ku u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Çfarë u tha nga dy udhëheqësit?

Gjermania është mbështetëse e palëkundur e Izraelit dhe i ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim, ndonëse i ka përkrahur dërgimin e ndihmave në Gaza dhe “pauzat humanitare”, raporton agjencia “Associated Press”.

Në anën tjetër, Erdogani këtë javë e quajti Izraelin “shtet terrorist” që synim e ka shkatërrimin e Gazës dhe të tërë banorëve të saj. Militantët e Hamasit i cilësoi “luftëtarë të rezistencës” që po mundohen t’i mbrojnë popullin dhe tokat e tyre.

Hamasi konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Komentet e Erdoganit i kanë tmerruar politikanët në mbarë spektrin politik në Gjermani. Scholzi i ka cilësuar “absurde” akuzat e presidentit turk ndaj Izraelit.

Çfarë tha Scholzi?

“Nuk është sekret që kemi, në pjesë, pikëpamje shumë të ndryshme për konfliktin e tanishëm”- tha kancelari gjerman në një konferencë të shkurtër për gazetarë pranë Erdoganit para takimit mes tyre. Megjithatë, ai theksoi se “veçanërisht në momente të vështira, duhet t’i flasim njëri-tjetrit drejtpërdrejt”.

“Sulmi i Hamasit nënkupton që Izraeli duhet ta mbrojë veten dhe duhet të jetë në gjendje për ta mbrojtur veten. Nuk mund të mbetet rasti që një organizatë terroriste, që e qeveris këtë rajon, të ndërmarrë veprime të tilla nga atje përsëri e përsëri me forcë të pabesueshme ushtarake. Kjo duhet të marrë fund dhe ky është qëllim që duhet të mbështetet – ne e mbështesim, në çdo rast”- shtoi Scholzi.

Më tej, ai tha se është e rëndësishme që “të bëhet gjithçka për ta mbajtur numrin e viktimave civile sa të vogël që është e mundshme” dhe theksoi se “vuajtja e popullsisë civile palestineze në Gaza gjithashtu na pikëllon ne”.

Scholzi tha se Turqia dhe Gjermania e ndajnë frikën për konflikt më të gjerë në rajon dhe se do të diskutojnë se si të parandalohet një i tillë.

Çfarë tha Erdogani?

Përderisa kancelari gjerman i mbrojti “pauzat” në luftime, Erdogani e përmendi përsëri armëpushimin. “Nëse mund të ndërtojmë një armëpushim humanitar së bashku me Gjermaninë, do ta kemi mundësinë për ta shpëtuar rajonin nga kjo unazë e zjarrit”- tha ai.

“Deri më tani, 13 mijë fëmijë, gra e të moshuar palestinezë janë vrarë. “Pothuajse nuk është më asnjë vend i quajtur Gaza, gjithçka është shkatërruar”- shtoi presidenti turk.

Erdogani la të kuptohej se Gjermania nuk mund ta kritikojë Izraelin për shkak të Holokaustit.

“Unë flas lirshëm, sepse ne nuk i kemi borxh asgjë Izraelit. Nëse do të ishim në borxh, nuk do të mund të flisnim kaq lirshëm. Ata që janë në borxh, nuk mund të flasin lirshëm. Ne nuk kemi kaluar nëpër Holokaust dhe nuk jemi në një situatë të tillë”- tha presidenti i Turqisë.

Ai foli edhe rreth synimit të vendit të tij për të blerë aeroplanë luftarakë të tipit “Eurofighter Typhoon”, me ç’rast përsëri e kunjoi Gjermaninë.

“Gjermania mund t’i shesë ose të mos i shesë ata. A është Gjermania shteti i vetëm që prodhon aeroplanë luftarakë? Mund t’i sigurojmë ata nga shumë vende të tjera”- tha Erdogani.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme