Erdogan thotë se Putini është i gatshëm t'i japë fund luftës në Ukrainë - NACIONALE

Erdogan thotë se Putini është i gatshëm t'i japë fund luftës në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se beson se lideri rus po kërkon t'i japë fund luftës që filloi në Ukrainë dhe se do të bëhet një "hap i rëndësishëm".

Ai tha se përshtypja e tij nga bisedimet e fundit me Vladimir Putin ishte se ai dëshironte "t'i jepte fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur".

Sipas BBC-së, lideri turk poashtu tregoi se gjërat ishin "mjaft problematike" për Rusinë.

Kujtojmë se u takua me Putinin edhe gjatë javës së kaluar në një samit në Uzbekistan. Ndërsa tani në një intervistë për transmetuesin amerikan PBS, udhëheqësi turk tha se fitoi përshtypjen se presidenti rus dëshironte një fund të shpejtë të luftës.

"Ai në fakt po më tregon se është i gatshëm t'i japë fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur," tha Erdogan, duke shtuar se,"kjo ishte përshtypja ime, sepse mënyra se si po shkojnë gjërat tani është mjaft problematike."

Ai tha gjithashtu se së shpejti palët do të shkëmbejnë 200 "pengje", por nuk dha detaje të mëtejshme se kush do të përfshihet në një shkëmbim të tillë të burgosurish.

Erdogan ka kërkuar vazhdimisht të ndërmjetësojë gjatë luftës, duke promovuar një qëndrim "të balancuar" për Turqinë anëtare të NATO-s, ndërsa kundërshton sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Ai poashtu ndihmoi OKB-në të ndërmjetësonte një rifillim të eksporteve të grurit nga Ukraina dhe tha javën e kaluar se po përpiqej të organizonte bisedime të drejtpërdrejta për armëpushim.

Ndërkohë, dy muaj pasi forcat ruse morën kontrollin mbi të gjithë rajonin lindor të Luhanskut, Ukraina ka rimarrë një pjesë të territorit.

Lidhur me këto zhvillime të fundit, presidenti Volodymyr Zelensky tha se "pushtuesit janë qartë në një panik".

Lajme të ngjashme