Emisari i Trumpit në Katar e Izrael, synohet armëpushimi në Gaza para inaugurimit - NACIONALE

Emisari i Trumpit në Katar e Izrael, synohet armëpushimi në Gaza para inaugurimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari për Lindje të Mesme i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka udhëtuar në Katar dhe Izrael për ta nisur fushatën diplomatike të republikanit për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve para se ai të vijë zyrtarisht në pushtet më 20 janar, i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim i njoftuar rreth bisedimeve.

Steve Witkoff, i cili zyrtarisht do ta marrë detyrën si pjesë e administratës së Trumpit, u takua në fund të nëntorit në takime të ndara me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha burimi, raporton agjencia “Reuters”.

Bisedat e emisarit amerikan dukej se e kishin për qëllim përforcimin e diplomacisë së pasuksesshme deri më tani nga administrata e presidentit Joe Biden, Katari dhe Egjipti, me synimin për të arritur armëpushim të qëndrueshëm mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite që po mbahen ende në enklavë.

Takimet gjithashtu sinjalizojnë se shteti i Katarit e ka rinisur detyrën si ndërmjetës kyç, pasi muajin e kaluar e kishte pezulluar angazhimin e vet, shtoi burimi.

Më tej, sipas burimit, negociatorët e Hamasit me gjasë do të rikthehen në kryeqytetin e Katarit, Doha, për bisedime të reja së shpejti.

Ndihmësit e Bidenit kanë qenë të vetëdijshëm për kontaktet e emisarit të Trumpit me zyrtarë nga Izraeli, Katari e vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe kuptojnë që ai mbështet një marrëveshje për Gazën përgjatë vijave që ka qenë duke i ndjekur administrata në largim, tha një zyrtar amerikan.

Administrata e Bidenit, e jo emisari i Trumpit, ende është duke i udhëhequr përpjekjet e ShBA-së për ringjalljen e bisedimeve për armëpushim në Gaza. Të dielën, udhëheqësit e Hamasit zhvilluan bisedime me zyrtarë egjiptianë të sigurisë në Kajro.

Ekipi i presidentit Biden e ka mbajtur të informuar kampin e Trumpit, por të dyja palët nuk kanë punuar së bashku në mënyrë të drejtpërdrejtë, i tha agjencisë “Reuters” zyrtari amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.

Ekipi tranzitor i Trumpit dhe përfaqësues të emisarit Witkoff nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment rreth takimeve.

Trumpi paralajmëroi të hënën se “do të paguhet ferri” në Lindjen e Mesme, nëse pengjet që po mbahen në Gaza nuk lirohen para inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme