Emisari i posaçëm i OKB-së: Përhapja e luftës Izrael – Hamas në Siri tashmë ka filluar - NACIONALE

Emisari i posaçëm i OKB-së: Përhapja e luftës Izrael – Hamas në Siri tashmë ka filluar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, tha të hënën se lufta mes Izraelit dhe Hamasit është duke u përhapur në Siri, e nxitur nga jostabiliteti në rritje, dhuna dhe mungesa e përparimit drejt një zgjidhjeje politike për konfliktin 12-vjeçar në këtë shtet.

Pederseni tha në Këshillin e Sigurimit se populli sirian tani ballafaqohet me “një mundësi të tmerrshme të një eskalimi të mundshëm më të gjerë” pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit dhe veprimeve të vazhdueshme hakmarrëse nga ushtria izraelite.

“Përhapja në Siri nuk është thjesht një rrezik, ajo tashmë ka nisur”- tha emisari i OKB-së për Sirinë, raporton agjencia “Associated Press”.

Ai i përmendi sulmet ajrore që i janë atribuuar Izraelit e që i kanë goditur aeroportet siriane në Alepo e Damask disa herë dhe hakmarrjen nga Shtetet e Bashkuara kundër atyre që ato i kanë quajtur sulme të shumëfishta ndaj forcave amerikane “nga grupe për të cilat ShBA-ja pretendon se janë të mbështetura nga Irani, përfshirë ndaj territorit sirian”.

Kur rajoni është në pikën e tij “më të rrezikshme e më të tensionuar”, sipas Pedersenit, “po i hidhet benzinë një kutie me ashkla që tashmë kishte filluar të ndizej” në Siri, shtet që po ballafaqohej me shtim të dhunës edhe para 7 tetorit.

Pederseni tha se numri i sirianëve të vrarë, të lënduar e të zhvendosur është në nivelin më të lartë që nga viti 2020, duke përmendur një shpeshtim domethënës të sulmeve në zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare, përfshirë një sulm në një ceremoni diplomimi në një akademi ushtarake në Homs, për të cilin autoritetet siriane i kanë fajësuar organizatat terroriste.

Ai gjithashtu raportoi për sulmet e forcave qeveritare gjatë tetorit kundër grupit “Hayat Tahrir al Sham”, i cili kontrollon një pjesë të madhe të pjesës veriperëndimore të Sirisë, si dhe eskalimin e madh të sulmeve të Turqisë në verilindje të Sirisë pas një sulmi ndaj objekteve qeveritare turke në Ankara. Sipas Pedersenit, dhjetëra njerëz janë vrarë nga sulmet e Turqisë në Siri, janë dëmtuar objekte shëndetësore, shkolla e kampe, si dhe janë zhvendosur mbi 120 mijë civilë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i akuzoi “grupet terroriste”, disa të mbështetura nga Siria e Irani, se po rrezikojnë që ta zgjerojnë konfliktin e Gazës “përmes shfrytëzimit të territorit sirian për të komplotuar dhe nisur sulme kundër Izraelit”. Ajo e akuzoi edhe Sirinë se po i lejon Iranin dhe grupet terroriste që t’i përdorin aeroportet ndërkomëbtare të saj për qëllime ushtarake.

“Ne i bëjmë thirrje regjimit që t’i frenojë aktivitetet e grupeve militante të mbështetura nga Irani në Siri, ta ndërpresë rrjedhjen e armëve dhe luftëtarëve të huaj nëpër territorin e vet dhe t’i ndalë veprimet eskaluese në Rrafshnaltën e Golanit”- tha ajo.

Lajme të ngjashme