Elon Musk i lypi 'fer' Vladimir Putinit: Nuk përdoret tragjedia e Ukrainës për t'i bërë reklamë vetes - NACIONALE

Elon Musk i lypi 'fer' Vladimir Putinit: Nuk përdoret tragjedia e Ukrainës për t'i bërë reklamë vetes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Oligarkët e përdorin hiper-maskulinitetin për të justifikuar pushtetin dhe agresionin e tyre. Kjo është e vërtetë për liderin e Rusisë, Vladimir Putinin. Por, është gjithashtu e vërtetë – në një formë vetëparodike – edhe për drejtorin ekzekutiv të Teslas, miliarderin Elon Musk.

Musk në mënyrë bizare kishte postuar në Twitter: “Sfidoj Vladimir Putinin që të luftojë me mua i vetëm. Basti është Ukraina. A pajtoheni me këtë ndeshje?”

Drejtori gjeneral i agjencisë hapësinore të Rusisë, Dmitry Rogozin, shpejt ktheu përgjigje, “Ti, dreq i vogël, je ende i ri. Garo me mua ngordhalaq; do të ishte veç humbje kohe.”

Spektakli i Muskut me zyrtarët rusë ishte i shëmtuar. Invazioni agresiv rus në Ukrainë tashmë ka lënë mijëra të vdekur dhe ka detyruar miliona të tjerë që të ikin prej shtëpive të tyre. Është një tragjedi e madhe humanitare, e jo një mundësi për Musk-un që t’i bëjë reklamë vetes.

E megjithatë, komentet e tij e theksojnë mënyrën grotestke në të cilën ndërlidhen vetëpromovimi, hipermaskuliniteti dhe dhuna.

Elon Musk nuk ka pushtuar shtete tjera. Ai ka performuar ‘forcën’ e tij duke punuar 120 orë në javë. Personaliteti i tij publik ka të bëjë me forcën e trurit, jo me forcën fizike.

Por, oferta e çuditshme e Muskut për t’u ndeshur me Putinin nuk është jashtë karakterit të tij; është veç një tjetër ilustrim se si maskuliniteti i djalit të mençur mund të rrëshqasë në maskulinitet tradicional, agresiv e ushtarak.

Ky përbën edhe një shembull se si pushteti financiar e social i oligarkëve ndërtohet dhe ushqehet nga fantazitë hipermaskuline të dominancës dhe kontrollit fizik. Musk po tallet deri në një shkallë, por ashiqare ai shijon imazhin e vetes duke u ndeshur me Putinin (me grushte? Shpata? Armë?). Atij ia ka ënda të vë veten në pozitën e një shpëtimtari heroik kalorësiak, duke u ngutur që të shpëtojë një Ukrainë të gjunjëzuar në mënyrë që çfarë? Ta shpallë veten mbret? Të martohet me një grua nga Ukraina? Të pranojë duartrokitje nga të gjithë ukrainasit mirënjohës që një miliarder po pranonte të ndeshej për lirinë e tyre derisa po bombardoheshin?

Detajet ekzakte të narrativës heroike janë të mjegullta. Por është e qartë se Dmitry Rogozin e mirëpriti mundësinë që të ndeshej. Putini është i lumtur që luftën e Ukrainës ta perceptojë si test të fuqisë personale dhe maskulinitetit, e jo si një gjë brutale e të pashpirt që përfshin granatimin e spitaleve të fëmijëve dhe dërgimin e rekrutëve tinejxherë për t’u vrarë.

Ta përsërisim, Musk-u nuk është Putin. Por, ajo që shkroi për Ukrainën nënkupton se ndoshta do të donte të ishte i tillë. Burrat e pushtetshëm miliardera shpesh flasin dhe sillen sikur të vetmit njerëz në botë janë ata dhe maskuliniteti i tyre. Në rastin më të mirë, duken budallenj që s’kanë kontakt me realitetin. Në rastin më të keq, bëjnë atë që po bën Putini tash.

Lexojeni të plotë kolumnen e z. Noah Berlatsky në Independent duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme