Ekspertët thonë se rastet e Covid-it në Gjermani po shtohen
Epidemiologët gjermanë po paralajmërojnë për një valë verore të infektimeve me koronavirus, duke i fajësuar pjesërisht për këtë tubimet masive të qytetarëve.
Agjencia qeveritare për kontrollimin e sëmundjeve, Instituti “Robert Koch”, thotë se përderisa numri i infeksioneve mbetet i ulët në krahasim me kulmin e pandemisë, shifrat janë rritur gjatë muajit të fundit, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas Radarit të Pandemisë, që menaxhohet nga autoritetet gjermane dhe që përditësohet përditë nga Ministria e Shëndetësisë, vizitat te mjeku për shkak të infektimit me koronavirus u shtuan për 175 për qind gjatë javës së kaluar, me 2.400 raste të raportuara në institut këtë javë në krahasim me 400 raste javën e kaluar dhe dyfish më shumë se një muaj më parë.
Pranimi i personave në spital për shkak të infektimit me koronavirus është shtuar për 50 për qind. Më shumë se gjysma e qendrave të vëzhgimit në Gjermani, sidomos qendrat për përpunimin e ujërave të zeza, kanë treguar rritje të pranisë së virusit që është vërejtur në ujëra të zeza këtë muaj.
Numri i rezultateve zyrtare të testimit tregon se shkalla e infeksioneve është e ulët, tre në 100 mijë njerëz. Megjithatë, ky numër zor që e tregon gjendjen e vërtetë, sepse tashmë po bëhen shumë pak testime.
Gjermanët po inkurajohen që të marrin doza përforcuese të vaksinave në vjeshtë, nëse i përkasin grupit të njerëzve më të rrezikuar, si ata që janë mbi moshën 60-vjeçare, personat me mbipeshë, personat që kanë ndonjë sëmundje të mushkërive dhe ata që punojnë në mjedise të rrezikshme për t’u infektuar, si spitalet. Ata që janë sëmurë këshillohen që të qëndrojnë në shtëpi.
Ndërkohë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara është regjistruar rishtazi dyfishim i numrit të pacientëve në spitale për shkak të nënvariantit “Eris” të variantit “Omicron”, që Organizata Botërore e Shëndetësisë javën e kaluar e klasifikoi si “variant me interes”.