Ekspertët: Shkarkimi i punëtorëve nga Trumpi, mundësi e pashembullt për informatorë për Rusinë e Kinën
Përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, dhe miliarderi Elon Musk po punojnë për rindërtimin e Qeverisë federale, ata po shkarkojnë mijëra punëtorë me njohuri dhe lidhje të brendshme që kanë nevojë për një vend pune.
Për Rusinë, Kinën dhe armiq të tjerë, tollovia në Uashington, përderisa Departamenti i Efiçiencës Qeveritare i Elon Muskut po shkarkon punëtorë në agjenci qeveritare, paraqet një mundësi të pashembullt për të rekrutuar informatorë, thonë ekspertë të inteligjencës dhe të sigurisë kombëtare, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Secili ish-punëtor federal me njohur ose me qasje në të dhëna ose sisteme të ndjeshme mund të jetë në cak. Kur mijëra prej tyre të largohen nga puna në të njëjtën kohë, kjo krijon shumë shënjestra, si dhe një sfidë kundërzbulimi për Shtetet e Bashkuara.
“Këto të dhëna janë shumë të vlefshme dhe nuk do të ishte e befasishme që Rusia dhe Kina dhe organizata të tjera – sindikatat kriminale, për shembull – të ishin duke rekrutuar në mënyrë masive punonjës qeveritarë” – tha Theresa Payton, ish-shefe e informimit në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e ish-presidentit George W. Bush, e cila tani e udhëheq kompaninë e vet për siguri kibernetike.
Për çdo vit, mesatarisht 100 mijë punëtorë federalë largohen nga vendet e tyre të punës. Disa dalin në pension, disa kalojnë në sektorin privat. Këtë vit, për tre muaj, numri tashmë është shumë herë më i lartë, përcjell gazeta "Nacionale".
Nuk janë vetëm zyrtarët e inteligjencës që paraqesin rreziqe potenciale ndaj sigurisë. Shumë departamente dhe agjenci mbikëqyrin sasi të madhe të të dhënave që përfshijnë informata personale rreth amerikanëve si dhe të dhëna të ndjeshme për sigurinë kombëtare dhe operacionet qeveritare. Punëtorët që largohen gjithashtu do të mund të jepnin sekrete të dobishme rreth sigurisë, të cilat do t’i mundësonin ndokujt që të depërtonte në bazat qeveritare të të dhënave ose në zyra fizike.
Zyra për Përfaqësues Tregtarë e ShBA-së, për shembull, mban të dhëna rreth bisedimeve tregtare që do të mund të ndihmonin një armik që t’i dëmtonte Shtetet e Bashkuara. Në të dhëna federale ka informata rreth operacioneve dhe agjentëve klandestinë të inteligjencës. Në bazat e të dhënave të Pentagonit ka informata të shumta rreth kapaciteteve ushtarake të ShBA-së. Departamenti i Energjisë mbikëqyr shumë prej sekreteve më të ruajtura bërthamore të vendit.
“Kjo ndodh edhe në kohëra të mira – dikush në komunitetin e inteligjencës, i cili për arsye personale financiare ose për arsye të tjera hyn në një ambasadë për ta shitur Amerikën – por Departamenti i Efiçiencës Qeveritare po e çon këtë në një nivel krejt të ri” – tha John Schindler, ish-zyrtar i kundërzbulimit.
“Dikush do të dalë nga binarët. Është vetëm pyetja se sa keq do të jetë” – shtoi ai.
Sidoqoftë, zonja Payton tha se vetëm një pjesë e vogël e miliona amerikanëve që kanë punuar për Qeverinë federale janë akuzuar ndonjëherë për spiunazh. Sipas saj, shumica dërrmuese e tyre janë patriotë të ndërgjegjshëm që nuk do ta shisnin kurrë vendin e tyre.
Kontrollet e prapavijës, trajnimi i punonjësve dhe intervistat me rastin e largimit janë të hartuara për parandalimin e informatorëve dhe për t’u sjellë ndër mend punonjësve federalë që largohen për detyrën e tyre për t’i ruajtur sekretet kombëtare edhe pas largimit nga shërbimi federal.
Nevojiten vetëm një ose dy punëtorë të devijuar ose të pakënaqur që të shkaktojnë një krizë të sigurisë kombëtare. Ish-agjenti i FBI-së, Robert Hanssen, dhe ish-oficeri i CIA-s, Aldrich Ames, të cilët spiunuan për Rusinë, tregojnë se sa i dëmshëm mund të jetë një informator i vetëm./Nacionale