Egjipti ia kthen Trumpit: S’marrim pjesë në “aktin e padrejtësisë” të zhvendosjes së palestinezëve - NACIONALE

Egjipti ia kthen Trumpit: S’marrim pjesë në “aktin e padrejtësisë” të zhvendosjes së palestinezëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Egjipti nuk do të marrë pjesë në zhvendosjen e palestinezëve, një “akt i padrejtësisë” që do ta rrezikonte sigurinë egjiptiane, tha të mërkurën presidenti Abdel Fattah Al-Sisi në kundërpërgjigjen e parë të tij publike ndaj thirrjes së homologut amerikan, Donald Trump, për të pranuar banorë të Rripit të Gazës.

Duke folur në një konferencë për gazetarë me presidentin e Kenias, William Ruto, Sisi tha se Egjipti do të punojë me presidentin e ri amerikan për ta arritur paqen mes Izraelit e palestinezëve duke u mbështetur në një zgjidhje me dy shtete, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Në lidhje me atë që po thuhet për zhvendosjen e palestinezëve, kjo kurrë nuk mund të tolerohet ose të lejohet për shkak të ndikimit të saj ndaj sigurisë kombëtare egjiptiane” – tha presidenti egjiptian.

Trumpi tha të shtunën se Egjipti dhe Jordania duhet të pranojnë palestinezë nga Gaza, të cilën e quajti “vend të shkatërrimit” pas 15 muajve bombardimesh izraelite që e lanë shumicën e popullsisë prej 2,3 milionë njerëzish pa kulm mbi kokë.

Çfarëdo sugjerimi që palestinezët të largohen nga Gaza, territor që ata e duan pjesë të një shteti në të ardhmen, është kundërshtuar nga udhëheqësia palestineze me gjenerata si dhe është hedhur poshtë nga shtetet arabe fqinje që nga fillimi i luftës në Gaza në tetorin e vitit 2023.

Në Jordani tashmë jetojnë miliona palestinezë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë banojnë në Egjipt.

Ministritë e jashtme të Egjiptit dhe Jordanisë ditëve të fundit kanë dalë kundër sugjerimit të presidentit amerikan./Nacionale

Lajme të ngjashme