E pranon kryediplomatja gjermane: Gjermania s’i ka dëgjuar paralajmërimet për Rusinë
Pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar mënyrën se si Gjermania e sheh sigurinë dhe ka ndikuar që Berlini të kuptojë se vendi kishte dështuar që t’i dëgjonte aleatët lindorë evropianë që kishin paralajmëruar për rrezikun nga Rusia, ka thënë kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, në një shkrim për gazetën “The Guardian”.
Si pranim i hapur i të metave të politikës së jashtme gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, ajo tha se vendet e Evropës Lindore kishin pasur të drejtë që e paralajmëronin Gjermaninë se shpresa për më të mirën gjatë trajtimit të rreziqeve nga Rusia autokratë nuk ishte përgjigje e duhur. Ajo tha se për një kohë të gjatë, Gjermania e kishte zgjedhur “diplomacinë e bllokut të çeqeve” ose besimin se ndërveprimi politik dhe ekonomik do ta çonte Rusinë drejt një rruge demokratike.
“Ne e dimë se për të ardhmen e parashikueshme, Rusia e presidentit Putin do të mbetet kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë dhe se duhet ta organizojmë sigurinë tonë kundër Rusisë së Putinit, jo me të”- shkroi ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Duke shkruar para samitit të NATO-s në Lituani dhe pak kohë pas publikimit të strategjisë së re për sigurinë kombëtare të Gjermanisë, ajo i ndërlidhi interesat e sigurisë të vendit të saj me ato të Evropës Lindore, duke thënë: “Ne gjermanët nuk do të harrojmë kurrë se ua kemi borxh lirinë në një vend të ribashkuar edhe aleatëve tanë dhe fqinjëve tanë lindorë. Njësoj siç ishin ata këtu për ne, edhe ne do të jemi atje për ta tani, sepse siguria e Evropës Lindore është siguri e Gjermanisë.”
Ka pasur dyshime nëse Gjermania do të merrte rol të udhëheqësisë ushtarake në Evropë, duke e marrë parasysh historinë e saj, por zonja Baerbock tha se lufta në Ukrainë e ka detyruar Gjermaninë, nganjëherë për befasinë e saj, që t’i rivlerësojë rolin dhe përgjegjësitë e saj.
“Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, të ndërsyera nga gjermanët, politika e jashtme e vendit tonë është udhëhequr nga teoria që lufta nuk duhet të burojë kurrë më nga toka gjermane”- shkroi ajo.
Megjithatë, ministrja bëri të qartë se kjo ka ndryshuar. “Vetëm para dy viteve, ideja që Gjermania të dhuronte tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe obusë për një zonë lufte, do të ishte e pabesueshme, thënë më së paku. Sot, Gjeramnia është njëra nga furnizueset kryesore të armëve për vetëmbrojtjen e Ukrainës”- shkroi zyrtarja e lartë gjermane.
Ajo shtoi: “Lufta ruse e agresionit ka shënuar një thyerje në botë. Për vendin tim, ajo ka hapur një kapitull të ri, duke ripërcatkuar se si synojmë që t’i promovojmë paqen, lirinë dhe qëndrueshmërinë në këtë botë: si partner që e përqafon lidershipin e vet.”
