Scholz-i e mirëpret lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar për Putinin: Askush s’është mbi ligjin - NACIONALE

Scholz-i e mirëpret lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar për Putinin: Askush s’është mbi ligjin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në një konferencë për medie në Tokio të Japonisë, kancelari gjerman tha se askush nuk është mbi ligjin, raporton gazeta "The Guardian".

“Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucioni i duhur për të hetuar krime lufte... Fakti është që askush nuk është mbi ligjin dhe kjo është ajo që po bëhet e qartë tani”- tha Scholz-i në një konferencë për gazetarë me kryeministrin japonez, Fumio Kishida.

Vendimin e gjykatës për lëshimin e fletarrestimit për Putinin e ka mirëpritur edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili ka thënë se Putini “qartazi ka kryer krime lufte”.

Në anën tjetër, Rusia ka thënë se nuk është subjekt i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe se vendimi i saj është i pavlefshëm në aspektin ligjor.

Lajme të ngjashme