“E pakthyeshme”: Djali i Bolsonaros e konfirmon kandidaturën për president të Brazilit
Senatori brazilian, Flavio Bolsonaro, i biri i ish-presidentit Jair Bolsonaro, tha të martën se vendimi i tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm është “i pakthyeshëm”, duke ripohuar se do ta sfidojë presidentin Luiz Inacio Lula da Silva, pasi gjatë fundjavës kishte lënë të kuptohej se mund të hiqte dorë nga gara.
Ligjvënësi foli para gazetarëve pasi e vizitoi babanë e vet, i cili po e vuan dënimin me 27 vjet burgim për planifikim të një puçi pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022 në garë me Lula-n, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“I thashë [babait] se kjo kandidaturë është e pakthyeshme dhe, me fjalët e tij, nuk do ta kthejmë shpinën. Tani është koha që t’u flitet njerëzve në mënyrë që t’i kemi njerëzit e duhur në anën tonë” – tha Bolsonaro i ri.
Senatori fillimisht njoftoi të premten se babai i tij e mbështeti për të garuar për president. Megjithatë, të dielën, senatori tha se ekzistonte mundësia që ai “të mos shkonte deri në fund”, duke shtuar se mund të hiqte dorë nga kandidatura “me një çmim”.
Sidoqoftë, djali i ish-presidentit u tërhoq nga këto komente të martën, duke sqaruar se nuk do të kandidonte, vetëm nëse babai i tij do të lirohej nga burgu dhe do të garonte vetë.
Bolsonaros së vjetër i është ndaluar mbajtja e ndonjë posti publik deri në vitin 2030 për shkak të sjelljes së tij gjatë zgjedhjeve të vitit 2022.
“Çmimi im është [Jair] Bolsonaro i lirë dhe në kutinë e votimit. Me fjalë të tjera, nuk ka çmim” – tha senatori brazilian.