E jashtëzakonshme: Një grua që ishte shpallur e vdekur gjendet duke marrë frymë në arkivol
Pjesëmarrësit në një ceremoni mortore në Ekuador mbetën të habitur, kur kuptuan se gruaja e moshuar që po përgatiteshin ta varrosnin ishte ende gjallë.
Bella Montoya, 76 vjeçe, u shpall e vdekur javën e kaluar dhe dyshohej se jeta e saj kishte marrë fund për shkak të një sulmi.
Disa orë pasi ishte vendosur në arkivol, të afërmit që ishin përgatitur për t’ia ndërruar rrobat para varrimit e gjetën të moshuarën duke u munduar të merret frymë, raporton televizioni BBC.
Ajo tashmë është dërguar në repartin për kujdes intensiv në një spital dhe Ministria e Shëndetësisë e Ekuadorit ka themeluar një komision për ta hetuar incidentin.
Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë tha se gruaja kishte pësuar arrest kardiorespirator – humbje e frymëmarrjes dhe e funksionimit të zemrës – dhe nuk u ishte përgjigjur përpjekjeve për reanimim.
Një mjeke që ishte në detyrë e kishte konfirmuar vdekjen e gruas së moshuar.
Djali i saj, Gilber Rodolfo Balberan Montoya, citohet nga mediet lokale të ketë thënë se nëna e tij ishte pranuar në spital rreth orës 9 dhe në mesditë mjekja i kishte thënë se nëna i kishte vdekur.
An Ecuadorian woman has risen from the 'dead' after almost being buried alive.
— 10 News First (@10NewsFirst) June 13, 2023
Shocking video footage shows the moment 76-year-old Bella Montoya was rescued from a coffin after being stuck inside for over four hours. Her family discovered her as they were preparing to change her… pic.twitter.com/JfjqSUykBi
Montoya pastaj ishte vendosur në një arkivol për disa orë derisa ishte parë nga anëtarët e familjes duke u përpjekur që të merrte frymë.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, gruaja shihet e shtrirë në një arkivol të hapur dhe duke marrë frymë me vështirësi, ndërsa disa njerëz ishin mbledhur rreth saj.
Ajo tani ndodhet në repartin për kujdes intensiv në të njëjtin spital ku mjekët e kishin shpallur vdekjen e saj.
Djali i saj tha: “Pak nga pak jam duke kuptuar se çfarë ka ndodhur. Tani vetëm lutem që shëndeti i nënës sime të përmirësohet. Dua që ajo të jetë gjallë dhe pranë meje.”