E djathta e Italisë drejt një fitoreje dërrmuese në zgjedhje - NACIONALE

E djathta e Italisë drejt një fitoreje dërrmuese në zgjedhje

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas sondazheve të fundit, koalicioni i krahut të djathtë të Italisë, i udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë së Giorgia Melonit, është gati për një fitore dërrmuese në zgjedhjet e 25 shtatorit.

Nga studimet e bazuara në sondazhet përfundimtare të opinionit, duket se blloku ka një avantazh prej pothuajse 20 përqind ndaj koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga Partia Demokratike e Enrico Letta-s.

Bloomberg shkruan se falë sistemit kompleks zgjedhor të Italisë, një avantazh i tillë mund t'i jape Melonit një shumicë prej dy të tretave të vendeve në të dyja dhomat e parlamentit, të mjaftueshme për të ndryshuar edhe vetë kushtetutën e Italisë.

Mbështetja për Vëllezërit e Italisë së Melonit është rritur në mënyrë të qëndrueshme që kur ajo ishte në qendër të fushatës.

Meloni 45-vjeçare, e cila filloi karrierën e saj politike në partinë post-fashiste të Italisë, është një veterane politike, por nuk ka pothuajse asnjë përvojë qeveritare. Si kryesuesja për t'u bërë kryeministre e ardhshme, ajo është zotuar të mbajë qëndrimin e njejtë nga kryeministri në largim Mario Draghi për mbështetjen për Ukrainën dhe disiplinën fiskale.

Partia e Melonit ka përfituar gjithashtu nga rënia e dy aleatëve të saj, Forza Italia e Silvio Berlusconit dhe Lidhja anti-imigruese, e udhëhequr nga Matteo Salvini.

Megjithatë, ka një mundësi për të përmbysur këtë rezultat edhe dy javë para zgjedhjeve, pasi sipas një sondazhi të SWG të publikuar të premten, rreth 41% e italianëve nuk kanë vendosur ende se për kë do të votojnë.

Por, sido që të jetë, Meloni mund ta gjejë veten në një pozicion pushteti që pak kryeministra të tjerë e kanë mbajtur më parë në Itali.

Ndërkohë, në mesataren e fundit nga sondazhet e realizuara nga Bloomberg në dy javët e fundit, koalicioni i qendrës së majtë të Letës ka humbur 1.3 pikë përqindjeje në 28.2%. Kujtojmë se demokratët prishën aleancën e tyre me Pesë Yjet dhe nuk arritën të bashkojnë forcat me një koalicion centrist, i cili ka fituar vazhdimisht në sondazhe.

Lajme të ngjashme