Dy kongresistë amerikanë kërkojnë që Sirisë t’i lehtësohen sanksionet pas rënies së Asadit
Dy kongresistë të ShBA-së u kanë bërë thirrje zyrtarëve të lartë amerikanë që të pezullojnë disa sanksione ndaj Sirisë për ta lehtësuar trysninë ndaj ekonomisë së shpartalluar pas rënies së presidentit Bashar al-Assad, sipas një letre që e mban datën 10 dhjetor dhe që është parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Letra për sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, sekretaren e Thesarit, Janet Yellen, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, u nënshkrua nga anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Joe Wilson, i cili e udhëheq Nënkomisionin për Punë të Jashtme, dhe nga anëtari demokrat, Brendan Boyle, i cili e udhëheq grupin Siria e Lirë.
Në letër njihet mundësia e zgjatjes edhe për pesë vjet e sanksioneve Ceasar, të cilat vlejnë për të gjithë sektorët biznesorë të Sirisë dhe për cilindo shtetas që merret me Sirinë ose me entitete ruse dhe iraniane në Siri.
Dy kongresistët thanë në letrën e tyre se përderisa mbajtja në fuqi e sanksioneve ndaj ish-zyrtarëve qeveritarë është e rëndësishme, ata besonin se “pjesët e tjera të legjislacionit – si sanksionet sektoriale dhe sanksionet e lidhura me rindërtimin – duhet të pezullohen”.
Më tej, në letër thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të lëshojnë masa liruese dhe licenca të përgjithshme për t’i nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja dhe “për ta ndërtuar mirëbesimin”, pa i prekur sanksionet ndaj grupeve që cilësohen terroriste.
Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi rebel sirian që e udhëhoqi ofensivën me të cilën u rrëzua Asadi dhe dega civile e të cilit është vendosur si qeveri kalimtare, cilësohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, si dhe nga Kombet e Bashkuara.
Qeveria e udhëhequr nga ky grup u ka thënë udhëheqësve të bizneseve se do ta zbatojë modelin e tregut të lirë dhe do ta integrojë vendin në ekonominë globale.
Një burim i afërt me HTS-në i tha agjencisë “Reuters” të martën se grupi ishte në kontakt me zyrtarë amerikanë për heqjen e një pjese të sanksioneve Ceasar.
“Të gjitha pengesat me të cilat ballafaqohen populli sirian dhe e ardhmja e tij duhet të hiqen” – tha ky burim.
Një diplomat i lartë evropian i tha agjencisë “Reuters” se edhe shtete të tjera po bëjnë shtytje për përjashtime të gjera si masa humanitare, shumë të ngjashme me masat që ishin vendosur pas tërmetit shkatërrues të vitit 2023 që të mundësohej dërgimi i ndihmave në Siri.
Diplomati tha se ishte “shumë herët” që të hiqen të gjitha sanksionet së bashku, duke e marrë parasysh rolin e rëndësishëm të HTS-së në qeverinë kalimtare./Nacionale