“Duhet ta pushtojmë Brukselin”: Orbani zotohet për rritje të së djathtës në botë
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë para një turme entuziaste të përkrahësve se politikat konservatore e nacionaliste të qeverisë së tij do të fitojnë këtë vit në Evropë e përtej saj.
“E filluam këtë vit vetëm, nga fundi i tij do të jemi shumicë në botë” – tha Orbani në Budapest, raporton televizioni BBC.
Ai shprehu besim se republikani Donald Trump do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit në ShBA dhe se partitë e krahut të djathtë do t’i fitojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor.
Më pas, kryeministri hungarez e sulmoi me fjalë Bashkimin Evropian.
“Nëse duam që t’i ruajmë lirinë dhe sovranitetin e Hungarisë, nuk kemi zgjedhje: duhet ta pushtojmë Brukselin” – shtoi Orbani gjatë një fjalimi për shënimin e ditës kombëtare të Hungarisë.
Kryeminisri hungarez për një kohë të gjatë ka pasur mosmarrëveshje me Bashkimin Evropian, por ai u tha përkrahësve se ata ndodhen para një “kthimi të sovranitetit” edhe në Shtetet e Bashkuara.
Komentet më të reja të tij janë breshëria e fundit në një luftë fjalësh me administratën e presidentit Joe Biden në Uashington rreth pozicionit të Hungarisë për luftën në Ukrainë dhe kritikat ndërkombëtare rreth përqendrimit të pushtetit të tij brenda vendit.
Javën e kaluar në Florida të ShBA-së, pasi u takua me Trumpin, kryeministri hungarez parashikoi se lufta e Rusisë në Ukrainën do të marrë fund, sepse presidenti i ri amerikan – sipas tij, Trumpi – nuk do t’i japë “asnjë qindarkë” Kievit.
Presidenti i tanishëm i ShBA-së, Joe Biden, u kundërpërgjigj, duke thënë se Orbani “nuk mendon se demokracia funksionon dhe po kërkon diktaturë”.
Edhe ambasadori amerikan në Budapest, David Pressman, gjithashtu e goditi me fjalë Orbanin këtë javë. “Kryeministri Orban, i cili në njërën anë në mënyrë të pabazuar pretendon se qeveria e ShBA-së po mundohet që ta rrëzojë qeverinë e tij, bën thirrje publikisht për mposhtjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe në mënyrë aktive merr pjesë në ngjarje politike njëpartiake në ShBA” – tha diplomati amerikan të enjten.
Më tej, Pressmani tha se qasja e Hungarisë ndaj luftës në Ukrainë “nuk qëndron para realitetit”. “Politika hungareze është e mbështetur në një fantazi që çarmatosja e Ukrainës do ta ndalë Putinin. Historia tregon se kjo do ta bënte të kundërtën. Ai nuk është propozim për paqe; është kapitullim” – tha emisari i Uashingtonit.
Partia nacionaliste e konservatore e Orbanit, Fidesz, është në pushtet në Hungari që nga viti 2010 dhe administrata e Bidenit ka pasur përplasje me të edhe rreth konceptit të demokracisë.