Downing Street refuzon thirrjet e Johnson për dërgim të avionëve luftarakë në Ukrainë
Thirrjet e ish kryeministrit britanik Boris Johnson, për të nisur avionë luftarakë në Ukrainë, janë refuzuar nga Downing Street.
Një zëdhënës i nr.10 ka thënë se mund të duhen vite për të trajnuar plotësisht një pilot për të drejtuar një avion luftarak britanik, duke shtuar se fokusi aktual i Mbretërisë së Bashkuar ishte në "si mund ta ndihmojmë Ukrainën të mbrojë vendin e saj dhe të tërhiqet këtë vit".
Kujtojmë se edhe më parë Britania ka thënë se nuk është praktike dërgimi i avionëve luftarakë në Ukrinë, marrë parasysh kompleksitetin e avionëve dhe kohën që do të duhej për trajnim të pilotëve.
Lidhur më këtë çështje, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit Rishi Sunak është shprehur duke thënë se:
“Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë ukrainasit dhe të shqyrtojmë se çfarë është e duhura për një afat të gjatë, por - nëse është e dobishme për të kuptuar situatën - programi më i shpejtë i trajnimit për një pilot të ri është afërsisht 35 muaj.”
Ndërkohë, ishte Boris Johnson ai që në një fjalim të mbajtur në institutin e Këshillit Atlantik, tha se ishte koha për t'i dhënë Kievit mjetet – duke përfshirë avionët luftarakë – për të rimarrë tokën ukrainase nga Vladimir Putin.
“Jepu atyre sistemet e artilerisë së zjarrit të thellë, jepu atyre tanket, jepu atyre avionët, sepse ata kanë një plan. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë,”- është shprehur Johnson.
Dërgimi ose jo i avionëve është komentuar edhe nga sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, i cili ka thënë se Britania nuk ka marrë një "vendim të fortë" për të mos dërguar avionët e saj luftarakë në Ukrainë, por nuk mendon se kjo është "qasja e duhur" për momentin.

