Pas ShBA-së, edhe Britania i thotë 'jo' dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë
Gjatë ditës është raportuar se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, e të njejtën gjë tani e ka bërë edhe Britania, me kryeministrin Rishi Sunak që beson se një lëvizje e tillë nuk do të ishte “praktike”.
E ndërsa zyrtarë perëndimorë të Mbrojtjes kanë paralajmëruar se lufta në Ukrainë, ka të ngjarë të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2023, sipas nr.10, Sunak ka thënë se një “ngërç i zgjatur në luftën në Ukrainë do të sillte përfitime vetëm për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin”.
Më tej, lidhur me avionët luftarakë, Downing Street ka thënë se trajnimi i forcave të Volodymyr Zelensky në Typhoon dhe F-35 "jashtëzakonisht të sofistikuar" do të zgjaste shumë, prandaj pavarësisht prirjes së Britanisë së Madhe për të rritur mbështetjen për Ukrainën, kryeministri i vendit një lëvizje e tillë nuk e ka parë “praktike”
Megjithatë, Britania nuk i ka kundërshtuar aletatët e tjerë që duan të dërgojnë avionët e tyre, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
Nga ana tjetër, zyrtarët perëndimorë po ashtu kanë njoftuar se premtimet e fundit të bëra nga Mbretëria e Bashkuar, ShBA dhe Gjermania nënkuptojnë se numri total i tankeve që do të shkojnë në Ukrainë tani tejkalon 300 që ka kërkuar Zelensky – megjithatë, është bërë e ditur se këto tanke nuk ka gjasa të dërgohen në fushën e betejë deri në fund të muajit mars.

