Donatori i madh i republikanëve nuk do t’i përkrahë kandidatët për president të ShBA-së
Miliarderi i teknologjisë dhe donatori i madh i Partisë Republikane të ShBA-së, Peter Thiel, mbështetës i hershëm i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili më vonë u largua nga ai, u ka thënë bashkëpunëtorëve se nuk është duke planifikuar që të dhurojë para për ndonjë kandidat për president vitin e ardhshëm, sipas dy personave të afërt me biznesmenin.
Thiel është i pakënaqur me përqendrimin e Partisë Republikane në çështjet “e nxehta” kulturore në Shtetet e Bashkuara, tha njëri nga burimet, duke i përmendur abortin dhe kufizimet për atë se cilat banja mund t’i përdorin nxënësit transgjinorë në shkolla si dy shembuj, raporton agjencia “Reuters”.
Burimet thanë se Thiel arriti në këtë përfundim në fundin e vitit të kaluar. Ai beson se republikanët po bëjnë gabim duke u përqendruar në pikat “e nxehta” kulturore dhe se duhet të angazhohen më shumë për ta nxitur inovacionin në ShBA – çështje e rëndësishme për të – dhe në konkurrencën me Kinën, tha një bashkëpunëtor biznesi.
Planet e Thielit për zgjedhjet brenda Partisë Republikane dhe zgjedhjet e përgjithshme nuk janë raportuar më parë. Uebfaqja e lajmeve, “Puck”, më parë raportoi se Thiel, me shumë gjasë, ose do ta përkrahë Trumpin, ose do të qëndrojë larg garës.
Kur Thiel kishte folur në një konventë kombëtare të Partisë Republikane më 2016, ai kishte më shumë shpresë se partia do të përqendrohej në çështje ekonomike, thanë bashkëpunëtorët e tij të biznesit.
Katër burime i thanë agjencisë “Reuters” se Thiel do të bëjë një hap prapa nga politika e Shteteve të Bashkuara. Ai e identifikon veten si përkrahës i libertarianizmit, filozofi politike që e thekson rëndësinë e lirive individuale.
