Doli për të vrapuar, 26-vjeçari mbytet nga ariu në Itali
Një ari ka sulmuar për vdekje një vrapues 26-vjeçar në një shteg pyjor në verilindje të Italisë. Ky është rasti i parë i tillë fatal. Lajmin ia konfirmoi agjencisë AFP një burim i afërt me rastin.
Andrea Papi, 26 vjeç, u mbyt të mërkurën, përderisa po vraponte në rajonin malor afër fshatit të tij, Caldes, në rajonin Trentino. Familja e tij e ngriti alarmin, kur ai nuk u kthye dhe një ekip kërkimi e gjeti trupin e të riut gjatë natës, raporton gazeta “The Guardian”.
Papi pësoi plagë të thella në qafë, krahë e gjoks. Sipas autopsisë së kryer të premten, ai është sulmuar nga një ari, shtoi burimi, duke i vërtetuar raportimet e medieve italiane.
Në mars, një burrë u sulmua nga një ari në të njëjtin rajon, duke nxitur një debat për rrezikun e paraqitur nga këto kafshë, të cilat janë rivendosur atje në periudhën 1996 – 2004.
Më 2014, një arushë e murrme e njohur si Daniza kafshoi një burrë që ishte duke kërkuar kërpudha në rajonin e njëjtë. Arusha ishte zhvendosur nga Sllovenia dhe ishte fërguar në pyjet përreth Trentinos në vitin 2000. Ajo kishte ngordhur, pasi i ishte dhënë anastetik gjatë përpjekjes për ta kapur.
Kryetari i provincës së Trentinos, Maurizio Fugatti, tha të premten në mbrëmje se autoritetet lokale kanë vendosur që ta kërkojnë dhe ta vrasin ariun, porsa ai të identifikohet. Grupi mjedisor, WWF, tashmë kishte pranuar se ariu duhej të neutralizohej.
Megjithatë, Annamaria Procacci, ish-deputete, tani e angazhuar në grupin për mirëqenien e kafshëve, ENPA, e dënoi mungesën e masave parandaluese nga zyrtarët lokalë. Ajo argumentoi se arinjtë zakonisht e mbajnë distancën me njerëz.
Procacci shtoi se autoritetet lokale duhej të siguroheshin që njerëzit të mbaheshin larg zonave ku arushat ishin duke i rritur këlyshët e tyre.

