Tërbohet ariu në Rusi, sulmon drejtuesin e cirkut para turmës
Një ari i tërbuar ka sulmuar drejtuesin e cirkut para fëmijëve dhe prindërve të tyre, duke u përpjekur të arratiset përpara se të nënshtohet dhe të vazhdojë me performancën për turmën.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin rus Blagoveshchensk, ku para se të hynte në ring për të treguar truket, bisha e mbajtur në zinxhir është tërbuar duke sulmuar drejtuesin, ndërsa të tjerët janë munduar ta kontrollojnë duke i dhënë ëmbëlsira.
Pas sulmit disasekondësh, kafsha është bindur dhe ka vazhduar performancën duke kërcyer në këmbët e pasme.
E ndërsa pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale, ka pasur thirrje të shumta për ndalimin e shfaqjeve të gjalla në cirk.
Shfaqja 'Cirku Sovjetik' ishte nga trupa udhëtuese e Zvezdny, nga Novosibirsk, ku pas ngjarjes menaxherja e cirkut me emrin Valentina është shprehur se video nga momenti “mund të jetë përhapur nga keqbërësit”, duke thënë se nuk ka pasur sulm, por vetëm pakënaqësi të shprehura nga kafsha.
Ndërkohë, Irina Novozhilova, nga grupi i të drejtave të kafshëve VITA, ka kërkuar prej kohësh ndalimin e të gjitha cirqeve me kafshë të gjalla, të cilat mbeten të njohura në të gjithë Rusinë.
"Asnjë kusht cirku nuk do të jetë human për një arsye të thjeshtë – stërvitja shkon paralel me mizorinë”, është shprehur ajo, duke shtuar se cirqet janë gjithmonë mizore përtej kufijve dhe duhet të ndalohen.