Dokumentet e rrjedhura të Pentagonit sugjerojnë se në ShBA ka pasur më shumë balona kineze
Sipas dokumenteve të inteligjencës së lartë të ShBA-së që rrodhën së fundmi në internet, zyrtarët amerikanë kanë pasur dijeni për deri në katër balona spiune kineze.
Sipas The Guardian, informacioni vjen nga dokumentet që dyshohet se u zbuluan nga anëtari i gardës kombëtare ajrore të Massachusetts, Jack Teixeira, të cilat u raportuan për herë të parë nga Washington Post.
Ndërsa tregohet për një balonë kineze që kishte fluturuar mbi një grup të avionëve sulmues amerikanë të vendosur në Oqeanin Paqësor - një incident i paraportuar, thuhet se edhe një balonë tjetër ishte rrëzuar në Derin e Kinës Jugore.
Në dokumentet e zbuluara, zyrtarët e inteligjencës e klasifikojnë balonën që u rrëzua si "Killeen-23", ndërsa balona të tjera që përmenden në këto dokumente përfshijnë "Bulger-21" dhe "Accardo-21".
Raportohet se një zyrtar i paidentifikuar i inteligjencës amerikane ka thënë për Washington Post se balonat e vëzhgimit janë emëruar sipas alfabetit, nga A në Z, dhe sipas kriminelëve famëkeq si mafiozët Tony Accardo dhe Donald Killeen.
Bëhet e ditur se dokumenti i rrjedhur nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeohapësinore (NGA) përfshin gjithashtu foto të shënuara të Killeen-23, në të cilat analistët kanë vënë në dukje se balona mund të gjeneronte fuqi të mjaftueshme për të operuar "çdo teknologji" vëzhgimi, si p.sh. një radar që mund të shihte natën ose përmes reve dhe materialit të hollë.
Zyrtarët kanë vënë në dukje gjithashtu se Bulger-21 kishte pajisje të përparuara vëzhgimi, duke udhëtuar në të gjithë globin nga dhjetori 2021 deri në maj 2022.
Deri më tani as Pentagoni dhe zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk kanë pranuar të komentojnë raportimin e Washington Post.
Kujtojmë se në muajin shkurt republikanët kritikuan ashpër administratën e Bidenit për mos rrëzimin e shpejtë të balonës së mbikëqyrjes kineze, duke argumentuar se kjo i lejonte qeverisë kineze kohë shtesë për të spiunuar.

