FBI arreston të dyshuarin në lidhje me rrjedhjet e dokumenteve sekrete të Pentagonit - NACIONALE

FBI arreston të dyshuarin në lidhje me rrjedhjet e dokumenteve sekrete të Pentagonit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas një zyrtari amerikan, FBI ka arrestuar një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts, në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara që janë postuar në internet.

CNN raporton se arrestimi i Jack Teixeira, 21 vjeç, vjen pas një kërkimi të shpejtë nga qeveria amerikane për identitetin e personit që postoi dokumente të klasifikuara në një platformë të mediave sociale të përdorur nga videolojtarët.

Teixeira ishte identifikuar nga The New York Times përpara arrestimit të tij të enjten si kreu i grupit ku ishin postuar dokumentet e klasifikuara.

Më herët, sipas raportimeve dy persona të informuar për këtë çështje kanë thënë se FBI tani ka ngushtuar numrin e njerëzve që ata besojnë se mund të jenë përgjegjës për rrjedhjet dhe kanë kryer intervista me ta.

E ndërsa dihet se ka një numër të madh njerëzish që kishin akses në dokumente, hetuesit kanë qenë në gjendje të ndalen te një numër i vogël personash për një shqyrtim më të hollësishëm falë gjurmëve mjekoligjore të lëna nga personi që i ka postuar dokumentet. Është bërë e ditur gjithashtu se hetuesit janë duke punuar për ngritjen e një rasti për ndjekje penale.

Kujtojmë se edhe më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Joe Biden sugjeroi se qeveria amerikane ishte afër identifikimit të zbuluesit.

"Ka një hetim të plotë që po zhvillohet, siç e dini.Komuniteti i inteligjencës dhe Departamenti i Drejtësisë. Dhe ata po i afrohen. Unë nuk kam një përgjigje për ju,”- është shprehur Biden.

Një rrjedhje e fundit e dokumenteve të inteligjencës amerikane të zbuluara në mediat sociale, ka sugjeruar për përplasje midis zyrtarëve rusë, duke përfshirë disa brenda Shërbimit Federal të Sigurisë dhe ministrisë së Mbrojtjes.

New York Times ka raportuar se këto dokumente të reja, prej 27 faqesh ua ka treguar edhe zyrtarëve amerikanë, të cilët nuk e kanë kundërshtuar informacionin, “por nuk mundën dhe nuk i konfirmuan në mënyrë të pavarur këto dokumente”.

Në lidhje me këto raportime, edhe CNN ka raportuar se është në pritje të një komenti nga Pentagoni.

Lajme të ngjashme