NYT: Identifikohet udhëheqësi i grupit në internet ku u postuan dokumentet e Pentagonit - NACIONALE

NYT: Identifikohet udhëheqësi i grupit në internet ku u postuan dokumentet e Pentagonit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

The New York Times ka identifikuar një 21-vjeçar të Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts, si udhëheqësin e një grupi bisedash të lojërave në internet ku u postuan dhjetëra dokumente të klasifikuara të Pentagonit.

NYT ka raportuar të enjten se hetuesit duan të bisedojnë me anëtarin e këtij grupi dhe besojnë se ai ka informacione të rëndësishme për hetimin e vazhdueshëm të FBI-së për rrjedhjen e dokumenteve.

Sipas raportimeve dy persona të informuar për këtë çështje kanë thënë se FBI tani ka ngushtuar numrin e njerëzve që ata besojnë se mund të jenë përgjegjës për rrjedhjet dhe kanë kryer intervista me ta.

E ndërsa dihet se ka një numër të madh njerëzish që kishin akses në dokumente, hetuesit kanë qenë në gjendje të ndalen te një numër i vogël personash për një shqyrtim më të hollësishëm falë gjurmëve mjekoligjore të lëna nga personi që i ka postuar dokumentet. Është bërë e ditur gjithashtu se hetuesit janë duke punuar për ngritjen e një rasti për ndjekje penale.

Ndërkohë një burim tjetër ka thënë se FBI tashmë beson se është afër identifikimit të personit kryesor që qëndron pas rrjedhjes.

Kujtojmë se edhe më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Joe Biden sugjeroi se qeveria amerikane ishte afër identifikimit të zbuluesit.

"Ka një hetim të plotë që po zhvillohet, siç e dini.Komuniteti i inteligjencës dhe Departamenti i Drejtësisë. Dhe ata po i afrohen. Unë nuk kam një përgjigje për ju,”- është shprehur Biden.

Një rrjedhje e fundit e dokumenteve të inteligjencës amerikane të zbuluara në mediat sociale, ka sugjeruar për pëplasje të gjera midis zyrtarëve rusë, duke përfshirë disa brenda Shërbimit Federal të Sigurisë dhe ministrisë së Mbrojtjes.

New York Times ka raportuar se këto dokumente të reja, prej 27 faqesh ua ka treguar edhe zyrtarëve amerikanë, të cilët nuk e kanë kundërshtuar informacionin, “por nuk mundën dhe nuk i konfirmuan në mënyrë të pavarur këto dokumente”.

Në lidhje me këto raportime, edhe CNN ka raportuar se është në pritje të një komenti nga Pentagoni.

Lajme të ngjashme