Djali që përplasi një furgon në një kafene në Bruksel do të akuzohet për tentativë vrasje - NACIONALE

Djali që përplasi një furgon në një kafene në Bruksel do të akuzohet për tentativë vrasje

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Shoferi i furgonit që u përplas të premten në tarracën e një kafeneje dhe një restoranti të ushqimit të shpejtë në qendër të Brukselit do të akuzohet për tentativë vrasje, raporton agjencia e lajmeve Belga.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm belg konfirmoi akuzën sot, por nuk pranoi të komentojë mbi identitetin e burrit, raportoi Belga.

Policia belge arrestoi një burrë në Antwerp të premten, pasi ai u largua nga vendi i një incidenti në të cilin gjashtë persona u plagosën lehtë.

Dyshohet për një akt terrorist

Në kuadër të hetimeve, po tentohet të konstatohet nëse drejtuesi i mjetit është kthyer qëllimisht në drejtim të tarracës së lokalit, për shkak të dyshimit për një akt terrorist.

“Unë e di se të gjitha faktet kujtojnë dhe tregojnë për sulme të ngjashme që kemi parë jashtë vendit”, tha Willemien Baert, një zëdhënëse e prokurorit publik belg, në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten pas arrestimit të shoferit.

“Por në këtë moment nuk e dimë me siguri nëse ky rast ishte një sulm”, tha Baert, duke shtuar se mund të ishte edhe një aksident trafiku.

Të premten në orën 13:00, shoferi përplasi furgonin e tij në tavolinat dhe karriget e tarracës në rrugën Saint-Michel, e cila ndodhet pranë rrugës tregtare të frekuentuar Rue Neuve të Brukselit.

Ju paralajmërojmë se videoja është shqetësuese.

Prokuroria belge nuk pranoi të komentojë mbi identitetin e shoferit.

Televizioni belg RTBF raportoi se i arrestuari nuk njihej më parë si ekstremist, por për shkak të sfondit të paqartë të incidentit, niveli i kërcënimit të terrorizmit u ngrit përkohësisht për disa rrethe të qytetit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme