Disa të vrarë nga sulmet e reja ajrore ruse në Ukrainë - NACIONALE

Disa të vrarë nga sulmet e reja ajrore ruse në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka kryer një valë masive të sulmeve ajrore në Ukrainë, thanë të martën zyrtarët ukrainas, duke vrarë disa persona e duke plagosur rreth 50 të tjerë.

Në shënjestër të sulmeve të mëngjesit të hershëm ishin kryesisht dy qytetet më të mëdha të vendit, kryeqyteti Kiev dhe qyteti Kharkiv, i cili shtrihet në verilindje të Ukrainës, afër kufirit me Rusinë.

Të paktën dy persona u vranë e 35 të tjerë u lënduan nga sulmet ndaj ndërtesave të banimit në Kharkiv, sipas policisë dhe guvernatorit rajonal. Në raportime pati të dhëna të ndryshme rreth shifrave të sakta të të vrarëve e të plagosurve, raporton agjencia “Reuters”.

Punëtorët e shpëtimit ende ishin duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënoja, i tha televizionit lokal kryetari i qytetit, Ihor Terekhov.

Zyrtarët lokalë në Kiev thanë se deri në 18 persona ishin plagosur pas sulmeve në tri distrikte, duke shtuar se disa banesa ishin kapluar nga zjarri pas sulmit. U raportua edhe për një rast fatal.

Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” raportuan se kishin dëgjuar një valë shpërthimesh në Kiev dhe përreth tij dhe se panë mbetje duke u djegur e duke rënë nga qielli.

“Shpërthime të fuqishme, shtëpia jonë... po dridhej”- shkroi në rrjetin “Telegram” ligjvënësja Iryna Geraschenko.

Një person u vra në qytetin juglindor, Pavlohrad, tha guvernatori rajonal.

Forca ajrore ukrainase tha se ushtria kishte shkatërruar 21 nga 41 raketat e llojeve të ndryshme që ishin hedhur nga Rusia.

“Bota duhet të kuptojë se ky terror mund të ndalet vetëm me forcë”- shkroi në rrjetin “Telegram” shefi i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak.

Zyrtarët në rajonin verior, Sumy, gjithashtu thanë se infrastruktura kritike ishte dëmtuar nga një sulm me raketa në qytetin Shostka.

Rusia, e cila nuk i komentoi menjëherë këto sulme, ka kryer sulme të rregullta ajrore ndaj qyteteve e infrastrukturës civile larg përtej vijës së frontit.

Të dielën, Moska e kishte akuzuar Kievin për bombardim të qytetit ukrainas të pushtuar nga rusët, Donetsk, duke vrarë 27 persona. Forcat ukrainase thanë se Rusia e bart përgjegjësinë për sulmin.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme