Disa të vdekur nga të shtënat në Kopenhagë, arrestohet 22-vjeçari i dyshuar për sulmin
Policia e vendit ka njoftuar se disa persona janë vrarë nga të shtënat në një qendër tregtare në kryeqytetin danez, Kopenhagë.
Duke njoftuar vdekjet, shefi i policisë Soeren Thomassen ka bërë të ditur se në lidhje me sulmin është arrestuar një 22-vjeçar danez, duke shtuar se nuk dihen arsyet por se nuk mund të përjashtonte një "akt terrorizmi".
Pas të shtënave në qendrën tregtare Field në jug të qytetit, dëshmitarët okularë kanë folur për panik në mesin e blerësve.
Emilie Jeppesen ka folur për gazetën Jyllands-Posten: "Ju nuk e dinit se çfarë po ndodhte. Papritur kishte vetëm kaos kudo."
Ndërsa, një tjetër dëshmitar, Mahdi Al-Wazni, ka thënë për TV 2 se sulmuesi kishte mbajtur një "pushkë gjuetie".
Duke folur në një konferencë shtypi të dielën në mbrëmje, Thomassen tha se ishte ende shumë herët për të thënë saktësisht se sa njerëz ishin plagosur në sulm.
Por ai u tha gazetarëve se nuk kishte asnjë indikacion se në sulm ishin të përfshirë edhe sulmues të tjerë.
Field's është qendra më e madhe tregtare në Danimarkë, e cila ka 140 dyqane dhe restorante.
Ndërkohë, është bërë e ditur se më pak se një milje nga vendi ngjarjes, sonte ishte planifikur mbajtja e një koncerti ku do të performojë këngëtari britanik Harry Styles. E pas sulmit në qendër, organizatorët kanë njoftuar se koncerti do të zhvillohet pas një bashkërendimi të ngushtë me policinë.