Disa ditë para afatit të Trumpit, Putini s’jep shenja se ka ndryshuar pozicion - NACIONALE

Disa ditë para afatit të Trumpit, Putini s’jep shenja se ka ndryshuar pozicion

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se shpreson që bisedimet e paqes mes vendit të tij dhe Ukrainës do të vazhdojnë dhe se grupet punuese do të diskutojnë për kompromise të mundshme, por shtoi se qëllimet e Moskës mbeten të pandryshuara.

Duke folur një javë para skadimit të një afati të vendosur nga homologu amerikan, Donald Trump, që Rusia të pajtohet për armëpushim në Ukrainë ose të ballafaqohet me sanksione të reja – përfshirë ato ndaj shteteve që blejnë energji prej Moskës – Putini nuk dha asnjë shenjë për ndonjë ndryshim në pozicionin e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai tha se nëse ndokush është i zhgënjyer me rezultatin e bisedimeve të paqes deri më tani, kjo është pasojë e pritjeve të mëdha.

Duke folur para gazetarëve në një takim me homologun bjellorus, Alexander Lukashenko, në pjesën veriore të Rusisë, Putini tha se bisedimet duhet të zhvillohen “pa kamera dhe në një atmosferë të qetë”.

Më tej, kreu i Kremlinit tha se trupat ruse janë duke e sulmuar Ukrainën përgjatë tërë vijës së frontit dhe se momentumi është në anën e tyre, duke e cituar njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë të enjten se forcat ruse e kishin kapur qytezën ukrainase Chasiv Yar pas një beteje gati 16-mujore.

Ukraina ka mohuar se ky vendbanim është nën kontrollin e plotë të rusëve./Nacionale

Lajme të ngjashme