Dëshmia tronditëse për vrasje në Serbi: Ia preu trupin me sëpatë, ia copëtoi dhe e futi në makinë për grirje
Të martën në Gjykatën Speciale të Beogradit vazhdoi dëshmia e dëshmitarit Srdan Laliq kundër Veljko Belivukut, Marko Miljkoviqit dhe të tjerëve të akuzuar se i përkasin grupit të tyre kriminal. Veljko Belivuk është udhëheqës i grupit kriminal “Principi”. Ai dyshohet për disa krime serioze dhe për lidhje me klanin Kavaçki.
Veljko Belivuk-u ishte njëri nga miqtë më të ngushtë të udhëheqësit të vrarë të tifozëve të Partizanit, Aleksandar Stankoviq. Stankoviqi ishte vrarë në tetorin e vitit 2016, pasi i kishte përfunduar ushtrimet në një sallë fitnesi bashkë me Belivuk-un.
“E gjeta I.S.-në në një kabinë brenda restorantit të stadiumit, por ai nuk ishte i lidhur. Thuhej se ishte duke spiunuar përreth stadiumit, tifozët më të rinj tashmë e kishin rrahur dhe ai kishte qenë në stadium për ca kohë. Shkova për ta kontrolluar ngjarjen. Fola me I.S.-në, ai vazhdimisht tregonte se si ishte paguar një mijë dinarë për të spiunuar, por ishte jo i besueshëm, nuk e kishte kapacitetin për këtë. Kishte fjalë edhe për abuzim seksual, por nuk jam vërtet i sigurt nëse ishte ashtu apo shaka. E di që në ujin e tij është hedhur kokainë, që ishte nën ndikimin e drogës. Sugjerova që ata ta linin të shkonte, të bënin një marrëveshje me të për të mos raportuar në polici. Ai ishte liruar më vonë”- tha Laliqi.
Ai tha se kishte fjalë për abuzim seksual nga I.S-ja, por se ai nuk di saktësisht se çfarë kishte ndodhur në lidhje me këtë, shkruan gazeta "Politika", përcjell Nacionale.
Laliqi përmendi një shqiptar, kur foli për rrëmbimin e Mileto Raduloviqit dhe transferimin e kokainës.
“Në një rast më 2020, shkova për të shikuar një veturë me një valixhe, dhe atëherë Belivuk-u më shkroi, duke më kërkuar që t’i transferoja një kilogram kokainë një kontakti. Një shqiptar erdhi për ta marrë drogën”- tha ai.
Laliqi tha se grupi e planifikonte vrasjen e Luka Perenceviqit dhe Dejan Saviqit. Nebojsha Jankoviqi ishte paguar 100 mijë euro nga klani "Kavaçki" për një vrasje në Malin e Zi.
Vrasja e Goran Veliçkoviqit – Goksit
Laliqi gjithashtu dha dëshmi për vrasjen e Goran Veliçkoviqit – Goksit – se si dukej ajo dhe sa kohë ishte nevojitur për ta larguar trupin.
“E pashë për herë të parë gjatë vrasjes së Goran Veliçkoviqit. Procesi ishte shumë i thjeshtë. Një person, në këtë rast Belivuk-u, ishte duke e mbajtur sëpatën, duke i ndarë kokën dhe këmbët. Dy njerëz po ofronin ndihmë, duke përdorur një thikë të madhe me qëllim që ndarja të bëhej më lehtë me një sëpatë dhe kështu gjymtyrët u këputën. Organet u vendosën në një qese tjetër, me sëpatë copëtohet trupi dhe në fund koka. Para kësaj, lëkura u hoq nga koka me një thikë në mënyrë që flokët të mos shkaktonin bllokim të makinës dhe të gjitha ato pjesë të copëtuara ishin përafërsisht 20 me 20 centimetra, u vendosën në tre gypa plastike dhe kaluan nëpër një makinë dhe në tokë. Përbërja u vendos në qese të tejdukshme plastike dhe pastaj në çanta të tjera”- tha Laliqi.
Ai më pas tregoi se si dukej procesi i hedhjes së thasëve me trupa.
“Gjithmonë udhëtonim me veturë, pastaj ndaleshim në një pjesë të rrugës, gjysmë ore ecje në këmbë larg lumit dhe ishte një vend ku mund të futeshe në lumë në zonë të cekët, pastaj qesja hapej me një brisk dhe përmbajtja derdhej. Në atë pjesë, lumi është pak më i shpejtë. Ai që futej në lumë, lidhej me një litar dhe të tjetër e mbanin. Rrobat e atyre që vriteshin, digjeshin”- shtoi Laliqi.
Shtëpia në Ritopek dhe makina për bluarjen e mishit
Kur u pyet nëse do ta bëjë përshkrimin e dhomës sekrete në një shtëpi në Ritopek, afër Beogradit, dhe çfarë ndodhte, kur hapej ajo dhomë, Laliqi tha se dhoma ndodhet në këndin e poshtëm djathtas në mur, kur futesh në garazh, ku ndodhen raftet.
“Makina për bluarje ishte në një kthinë me një panel elektrik. Është rreth një metër e gjysmë e gjatë, rreth 80 centimetra e gjerë dhe rreth 120 centimetra e lartë”- tha ai.
Gjatë rrëfimit të tij, një rojë e gjykatës ia tërhoqi vërejtjen Belivuk-ut, i cili i ngriti duart dhe po protestonte me dhunë për atë që po e thoshte i akuzuari për bashkëpunim.
Seanca e radhës për dëgjimin e dëshmive është caktuar për datën 1 dhjetor.