Dënohet me burgim të gjatë “nxitësi” i sulmit ndaj Kongresit të ShBA-së më 2021, Joe Biggs - NACIONALE

Dënohet me burgim të gjatë “nxitësi” i sulmit ndaj Kongresit të ShBA-së më 2021, Joe Biggs

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një udhëheqës i grupit “Proud Boys” është dënuar me 17 vite burgim në lidhje me kryengritjen e dhunshme dhe sulmin ndaj Capitolit në ShBA më 6 janar 2021.

Veterani i ushtrisë amerikane, Joe Biggs, 38 vjeç, ishte “nxitës” i sulmit ndaj Kongresit të ShBA-së më 6 janar 2021, thanë prokurorët.

Në maj, ndaj tij ishte marrë vendim dënues për konspiracion për kryengritje dhe akuza të tjera. Në gjykatë, Biggs-i bëri apel për dënim të butë dhe shprehu pendim për veprimet e tij, raporton televizioni BBC.

Ky dënim, i dhënë nga gjykatësi Timothy Kelly, është më i butë se ndëshkimet që jepen sipas udhëzimeve federale për dënim dhe se 33 vitet burgim që i kishin kërkuar prokurorët për të akuzuarin.

Një anëtar tjetër i grupit “Proud Boys”, Zachary Rehl, u dënua të enjten me 15 vite burgim, gjithashtu nën akuzën për konspiracion për kryengritje.

Rehl-i, ish-pjesëtar i forcave detare amerikane dhe udhëheqës i degës së grupit “Proud Boys” në Filadelfia, ishte parë në një video duke u hedhur sprej irritues policëve pranë Capitolit gjatë kryengritjes.

Biggs kishte dalë para gjyqit bashkë me katër anëtarë të tjerë të grupit, përfshirë ish-udhëheqësin Enrique Tarrio, shqiptimi i dënimit të të cilit u shty papritmas të mërkurën. Pritet që dënimi ndaj tij të shqiptohet javën e ardhshme. Prokurorët kanë kërkuar 33 vite burgim.

Anëtarët e grupit që janë të përfshirë në këtë rast gjyqësor kanë thënë se planifikojnë që të apelojnë kundër dënimeve.

Lajme të ngjashme