Delegacioni iranian pati drojë nga Izraeli, Pakistani i përcolli deri në Iran me aeroplanë luftarakë - NACIONALE

Delegacioni iranian pati drojë nga Izraeli, Pakistani i përcolli deri në Iran me aeroplanë luftarakë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Forca ajrore pakistaneze i përcolli deri në atdhe anëtarët e delegacionit iranian nga bisedimet për paqe me ShBA-në fundjavën e kaluar, duke organizuar një operacion të madh, pasi iranianët thanë se Izraeli mund ta synonte vrasjen e tyre, i thanë tri burime agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Pakistani dislokoi rreth 20 aeroplanë në përcjellje, si dhe Sistemin për Kontroll dhe Paralajmërim Ajror për vëzhgim ajror për ta garantuar sigurinë e kthimit të delegacionit nga Islamabadi, thanë dy burime pakistaneze me njohuri rreth operacionit.

Njëri burim tha se mbrojtje e ngjashme do të ofrohet edhe për bisedimet e reja, nëse iranianët e kërkojnë atë, “në të kundërtën, aeroplanët pakistanezë do t’i presin ata në hapësirën ajrore të Pakistanit”.

Një burim i tretë, i përfshirë në bisedime, tha se këto masa ishin duke u përgatitur para një rundi të ri bisedimesh që pritet të zhvillohet këtë fundjavë.

Megjithatë, një diplomat rajonal i njoftuar nga Teherani tha se Pakistani këmbënguli në ofrimin e përcjelljes, pasi delegatët iranianë e kishin ngritur mundësinë “hipotetike” për një kërcënim.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Njësoj veproi edhe misioni i përhershëm i Iranit në Gjenevë. Forca ajrore dhe ushtria pakistaneze nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth operacionit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Islamabad nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

“Kur bisedimet dështuan, iranianët dyshonin se gjërat nuk kishin shkuar si duhej. Dyshimi i tyre ishte se mund të viheshin në shënjestër” – tha një burim i sigurisë.

“Ky ishte një mision masiv operues, nëse e shikoni nga këndvështrimi i një piloti. Po e merrni përgjegjësinë për një delegacion që po vjen për bisedime, po i jepni mbulim nga ajri, keni aeroplanë luftarakë të fuqishëm që i kundërvihen çfarëdo kërcënimi” – tha ky burim.

Burimi i përfshirë në bisedime e konfirmoi përcjelljen ajrore, por nuk dha hollësi rreth operacionit.

“I përcollëm deri në Teheran. Siguria e tyre ishte përgjegjësia jonë edhe përtej kohës së tyre të kaluar këtu” – tha burimi.

Një zyrtar tha se në misionin e së dielës u përfshinë aeroplanë luftarakë kinezë të tipit J-10, që janë më të avancuarit në flotën e forcave ajrore pakistaneze.

Dy burime të sigurisë thanë se delegacioni iranian, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, dhe kryetari i Kuvendit, Mohammad Baqer Qalibaf, ish-oficer ushtarak e pilot i certifikuar, e kërkuan përcjelljen e sigurisë, e cila del dukshëm përtej protokollit normal./Nacionale

Lajme të ngjashme