Del pamja nga shembja e urës në Vietnam: Kamioni bie, motoçiklisti shpëton - NACIONALE

Del pamja nga shembja e urës në Vietnam: Kamioni bie, motoçiklisti shpëton

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Një urë është shembur dhe një autobus u mor me vete nga rrëshqitja e dheut të hënën në Vietnam, duke e çuar në të paktën 64 numrin e viktimave të një tajfuni dhe reshjeve të dendura që gjithashtu dëmtuan fabrika në pjesën veriore të vendit, raportuan mediat shtetërore.

Nëntë persona vdiqën të shtunën, pasi tajfuni “Yagi” arriti në territorin tokësor të Vietnamit para se të dobësohej më vonë. Pjesa tjetër vdiqën nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut që ndodhën të dielën e të hënën, raportoi medium shtetëror “VN Express”, përcjell agjencia “Associated Press”.

Niveli i ujit në disa lumenj të pjesës veriore të vendit ishte i lartë në masë të rrezikshme.

Një autobus me 20 persona u mor me vete nga rrjedha e dheut në provincën malore Cao Bang të hënën në mëngjes. Mediat shtetërore thanë se katër trupa u nxorën nga autobusi dhe një person u shpëtua i gjallë. Të tjerët ishin ende të zhdukur.

Në provincën Phu Tho, operacionet e shpëtimit po vazhdonin, pasi një urë çeliku mbi Lumin e Kuq u shemb të hënën në mëngjes. Raportohet se dhjetë vetura dhe kamionë si dhe dy motoçikleta ranë në lumë. Disa njerëz u nxorën nga lumi dhe u dërguan në spital, por të paktën dhjetë të tjerë ishin ende të zhdukur.

Nguyen Minh Hai, që ra në lumë, Televizionit të Vietnamit i tha: “Isha shumë i frikësuar, kur rashë poshtë. U ndjeva sikur porsa i kisha ikur vdekjes. Nuk di të notoj dhe mendova se do të vdisja.”

Në një video që ishte incizuar nga brendësia e një automjeti, shihet momenti kur ura shembet para syve të vozitësit. Aty shihet një kamion duke rënë në lumë, ndërsa një motoçikletë ndalet pak metra para humnerës./Nacionale

Lajme të ngjashme