Dalin pamjet: Trump e Zelensky mbajnë takimin e parë, prej kur presidenti ukrainas u përzu nga Shtëpia e Bardhë
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky kanë pasur diskutime “produktive” gjatë qëndrimit të tyre në Vatikan, në ceremoninë mortore të Papa Françeskut.
Drejtori i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung ka konfirmuar të shtunën se Trump dhe Zelensky janë takuar para funeralit.
“Ata dy janë takuar privatisht dhe kanë pasur diskutime shumë produktive” – ka thënë Cheung, duke shtuar se “detaje të tjera priten më vonë”, raporton CNN, transmeton Nacionale.
Fotografi të publikuara nga presidenca ukrainase, tregojnë të dy liderët në një diskutim të afërt, pa ndihmësit e tyre.
Një zëdhënës i Zelenskyt ka thënë se takimi zgjati rreth 15 minuta, dhe dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet, me shumë gjasë, më vonë gjatë së shtunës.
“Ekipet po punojnë që ta organizojnë këtë” – ka thënë një zëdhënës.
Mediat ndërkombëtare kanë theksuar se ky është takimi i parë mes dy liderëve, që prej kur presidenti Zelensky u përzu nga Shtëpia e Bardhë pas diskutimeve të ashpra me Trump dhe J.D Vance në Zyrën Ovale.