Dalin foto të dhjetëra të ndaluarve palestinezë nga Izraeli, pothuajse krejt të zhveshur
Disa fotografi nga Gaza që qarkulluan në rrjete sociale të enjten shfaqin ndalim masiv të burrave nga ushtria izraelite. Ata shihen vetëm me të brendshme, të ulur në tokë, me duar të lidhura e, në një fotografi, edhe me sy të lidhur.
Rrethanat e sakta dhe data e ndalimit të tyre janë të paqarta, por identiteti i disa prej të ndaluarve u konfirmua nga kolegët dhe të afërmit e tyre, raporton televizioni CNN.
Të paktën disa prej burrave që shihen në fotografi janë civilë pa lidhje të njohura me grupe militante, sipas një bisede që televizioni CNN zhvilloi me njërin prej të afërmve dhe sipas një deklarate të njërit prej punëdhënësve të tyre.
Vëzhguesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut publikoi një fotografi të një ndalimi dhe tha përmes një deklarate në uebfaqen e vet të enjten se “ushtria izraelite ndaloi dhe keqtrajtoi rëndë dhjetëra civilë palestinezë”.
“Vëzhguesi Euro-Mesdhetar pranoi raportime se forcat izraelite nisën fushata të arrestimit të rëndomtë e arbitrar kundër personave të zhvendosur, përfshirë mjekë, akademikë, gazetarë e burra të moshuar”- tha kjo organizatë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nuk i janë përgjigjur kërkesës së televizionit CNN për t’i komentuar fotografitë. Televizioni amerikan i ka vërtetuar vendet se ku janë bërë disa fotografi. Bëhet fjalë për vendbanimin Beit Lahia, në veri të qytetit Gaza.
Mediat izraelite, pa e treguar burimin, i kanë paraqitur fotografitë si dorëzim të anëtarëve të Hamasit. Një gazetar e pyeti zëdhënësin e ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, për këto fotografi gjatë një konference për gazetarë të enjten, duke thënë: “Jemi parë fotografi të shumë të kapurve, terroristë të Hamasit, që Forcat Mbrojtëse të Izraelit i arrestuan gjatë manovrimit tokësor.”
Hagari tha se gjatë luftimeve kundër Hamasit, “ata që kanë mbetur në zonë dalin jashtë gradualisht”. “Ne hetojmë dhe kontrollojmë se kush ka lidhje me Hamasin, e kush nuk ka. I arrestojmë ata dhe i marrim në pyetje. Do të vazhdojmë që ta zbërthejmë secilën prej atyre bastioneve derisa ta kryejmë këtë”- shtoi ai.
Mediumi elektronik, “Al-Araby Al-Jadeed”, tha se njëri prej korrespondentëve të tij dhe disa anëtarë të familjes së atij personi ishin në mesin e të ndaluarve si pjesë e incidentit të paraqitur në fotografi.