Çudi: Një gjerman është vaksinuar 217 herë kundër Covid-19
Një burrë 62-vjeçar nga Gjermania, kundër këshillave mjekësore, është vaksinuar 217 herë kundër Covid-19, raportojnë mjekët.
Rasti i çuditshëm dokumentohet në revistën shkencore “The Lancet Infectious Diseases”, raporton televizioni BBC.
Vaksinat këtij personi i ishin sjellë dhe i ishin injektuar në mënyrë private brenda një periudhe prej 29 muajsh (dy vjet e pesë muaj).
Burri duket se nuk ka pësuar efekte negative, sipas hulumtuesve të Universitetit Erlangen-Nuremberg.
“Ne mësuam për këtë rast përmes artikujve të gazetave” – tha Dr. Kilian Schober nga departamenti i mikrobiologjisë në këtë universitet.
“Ne pastaj e kontaktuam atë dhe e ftuam që t’u nënshtrohej testeve të ndryshme në Erlangen. Ai ishte shumë i interesuar për ta bërë këtë” – shtoi mjeku Schober.
Burri ofroi mostra të freskëta të gjakut dhe pështymës. Hulumtuesit testuan edhe disa mostra gjaku të ngrira të këtij personi, që ishin ruajtur viteve të fundit.
Dr. Schober tha: “Ne kishim mundësi që të merrnim mostra gjaku vetë, kur burri mori një vaksinim të mëtejmë gjatë studimit me vetë këmbënguljen e tij. Ne kishim mundësi që t’i përdornim këto mostra për të përcaktuar saktësisht se si reagon sistemi imunitar ndaj vaksinimit.”
Dëshmi për 130 nga vaksinat u mblodhën nga prokurori publik i qytetit Magdeburg, i cili hapi një hetim nën dyshimin për mashtrim, por nuk u ngrit asnjë akuzë.
Vaksinat kundër Covid-it nuk mund të shkaktojnë infeksion, por mund ta mësojnë trupin se si ta luftojë sëmundjen.
Hulumtuesit thanë: “Me rëndësi, ne nuk e përkrahim hiper-vaksinimin si strategji për ta përforcuar imunitetin adaptues.”
Për më tepër, rezultatet e testeve të tyre me 62-vjeçarin ishin të pamjaftueshme për të bërë konkludime të gjera, e lëre më rekomandime për publikun e përgjithshëm.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli