Ç’thotë Amendamenti XIV i Kushtetutës së ShBA-së, që mund t’ia ndalojë Trumpit presidencën? - NACIONALE

Ç’thotë Amendamenti XIV i Kushtetutës së ShBA-së, që mund t’ia ndalojë Trumpit presidencën?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Betejat ligjore të ish-presidentit Donald Trump të ShBA-së po grumbullohen: në Uashington, Georgjia, Nju-Jork e lista vazhdon. Sidoqoftë, edhe nëse të gjitha këto raste përfundojnë në favorin e tij, disa thonë se një sfidë e re ligjore mund ta nxjerrë miliarderin nga gara për president.

Ndaras nga rastet kriminale, në javët e fundit është ngritur një argument nga një grup në rritje i studiuesve konservatorë se përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 e bëjnë atë person që nuk ka të drejtë të mbajë më pozitë zyrtare federale, raporton “ABC News”.

Argumenti për diskualifikimin e Trumpit nga gara presidenciale mbështetet në Seksionin e 3-të të Amendamentit XIV të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, në të cilin thuhet se asnjë person nuk mund të synojë zyrë publike, nëse është “angazhuar në kryengritje ose rebelim kundër” Shteteve të Bashkuara ose “nëse u ka dhënë ndihmë ose rehati armiqve të tyre”, nëse këtij personi nuk i jepet amnistia nga dy të tretat e votave të Kongresit.

Grupet për të drejta ligjore për një gjatë kanë argumentuar se sjellja e Trumpit pas zgjedhjeve të vitit 2020 i plotëson kriteret e këtij amendamenti. Argumenti u riaktualizua më herët këtë muaj, kur dy anëtarë të Shoqërisë Federaliste, William Baude dhe Micahel Stokes Paulsen, e mbështetën atë në faqet e revistës ligjore “Pennsylvania Law Review”.

“Nëse regjistri publik është i saktë, rasti nuk është as afër. Ai (Trumpi) nuk është më i pranueshëm për zyrën e Presidencës”- thuhet në artikullin e këtyre dy figurave.

Prej asaj kohe, dy njohës të tjerë ligjorë, gjykatësi federal konservator, J. Michael Luttig, dhe profesori Emeritus i drejtësisë në Harvard, Laurence Tribe, e kanë paraqitur pikëpamjen e njëjtë në një artikull të publikuar në “The Atlantic”.

Megjithatë, përderisa shtohen përpjekjet për ta diskualifikuar Trumpin nga gara presidenciale për shkak të rolit të tij të pretenduar në sulmin ndaj Capitolit dhe përpjekjet për zhbërjen e rezultatit të zgjedhjeve, njohësi i kushtetutës dhe profesori i shkencave politike, Kevin Wagner, tha se sfidimi i kandidaturës së Trumpit ballafaqohet me rrugë të vështirë, pjesërisht për shkak se nuk ekziston konsensur për atë nëse sulmi i 6 janarit të vitit 2021 ndaj Capitolit ishte kryengritje apo jo.

Lajme të ngjashme