Sondazh: Vetëm 24 për qind e amerikanëve duan që Bideni të garojë në zgjedhje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ia ka kushtuar disa javë të fundit promovimit të ndikimeve pozitive të politikave të tij, por përpjekjet e tij duket se ende nuk kanë dhënë rezultat në publik. Përqindjet e një sondazhi, me gjasë, do ta shqetësojnë politikanin veteran.
Vetëm 36 për qind e të rriturve amerikanë e miratojnë mënyrën e menaxhimit të ekonomisë nga Bideni, më pak se 42 për qind e atyre që e miratojnë punën e tij në përgjithësi, sipas një ankete të re të agjencisë “Associated Press” dhe Qendrës për Hulumtime të Çështjeve Publike – NORC.
Të dy numrat janë afër nivelit të kënaqëshmërisë për punën e Bidenit gjatë 16 muajve të fundit, përfshirë atë të para dy muajve. Shenjat për përmirësimin e të ardhmes së ekonomisë kanë ndikuar pak te qëndrimet e njerëzve ndaj presidentit amerikan, përderisa ai po përgatitet për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2024, në të cilën mund të ballafaqohet me paraardhësin e tij dhe kundërshtarin e zgjedhjeve të vitit 2020, republikanin Donald Trump.
Shtimi i vendeve të punës ka qëndruar solid. Shkalla e papunësisë është 3,5 për qind, ndërsa ritmi i inflacionit është ngadalësuar dukshëm gjatë vitit të fundit në shkallë vjetore prej 3,2 për qind.
Edhe Bideni, edhe Trumpi kanë pika të dobëta si kandidatë të vjetër që synojnë ballafaqim të ri. Trumpi, 77 vjeç, përballet me një varg aktakuzash që i përfshijnë posedimin e materialeve të klasifikuara dhe pretendimet se është munduar që ta zhbëjë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Bideni, 80 vjeç, ende nuk i ka grumbulluar plotësisht demokratët në anën e tij, pasi pasojat e vazhdueshme të inflacionit ende peshojnë në mendjen e njerëzve. Bashkë me anëtarë të kabinetit dhe nënpresidenten Kamala Harris, ai ka folur për investime të reja me vlerë të 500 miliardë dollarëve nga kompani private për të cilat ka thënë se kanë ardhur nga nismat që ai i ka bërë ligje përmes nënshkrimit të tyre.
Vetëm 65 për qind e demokratëve e miratojnë menaxhimin e ekonomisë nga Bideni, ndërsa 76 për qind e demokratëve e miratojnë punën e përgjithshme të tij.
Sipas anketës, 55 për qind e demokratëve thonë se nuk mendojnë që Bideni duhet të garojë në zgjedhjet e vitit 2024, edhe pse shumica dërrmuese – 82 për qind – thonë se pa dyshim ose ndoshta do ta përkrahin atë, nëse bëhet i nominuar i Partisë Demokratike. Në përgjithësi, vetëm 24 për qind e amerikanëve thonë se duan që Bideni të garojë përsëri.
