Covidi në Kinë: Gati 60 mijë të vdekur në pesë javë - NACIONALE

Covidi në Kinë: Gati 60 mijë të vdekur në pesë javë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Autoritetet kineze kanë njoftuar se që nga fillimi i dhjetorit kur vendi vendosi të lehtësojë kufizimet e rrepta të bllokimit, pothuajse 60,000 njerëz kanë vdekur nga Covidi.

Pas heqjes së kufizimeve të politikës zero-Covid nga presidenti Xi Jinping muajin e kaluar, vendin e ka mbërthyer një valë e madhe e virusit ku vlerësohet se disa qytete të mëdha kanë përjetuar shkallë infeksioni midis 70% dhe 90% të popullsisë së tyre.

Për rritjen e infeksioneve është fajësuar politika kineze në mbrojtjen e 1.4 miliardë njerëzve, për shkak të vaksinimit jo efektiv kundër virusit.

Edhe pse raportet e vdekjeve në mediat sociale dhe radhët e gjata në morgje dhe krematoriume kanë sugjeruar vazhdimisht një numër të lartë vdekjesh, deri të shtunën autoritetet kishin regjistruar zyrtarisht vetëm disa dhjetëra vdekje nga Covid-19.

Sidoqoftë, Jiao Yahui, kreu i Byrosë së Administratës Mjekësore, të shtunën ka njoftuar së në fakt, midis 8 dhjetori dhe 12 janarit, në vend ka pasur 59,938 vdekje nga Covid..

Jiao ka bërë të ditur se mosha mesatare e viktimave ishte 80 vjeç, me 90.1% të moshës 65 vjeç e lart.

Mungesa e numrave të raportuar më parë ishte për shkak të përkufizimeve të rrepta se si një vdekje i atribuohet Covid-it në Kinë. Është bërë e ditur se deri të shtunën, ishin numëruar vetëm njerëzit që kanë vdekur nga dështimi i frymëmarrjes.

Ky përkufizim është kritikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila paralajmëroi se ishte një nënpërfaqësim i ndikimit të vërtetë të shpërthimit. Megjithatë, autoritetet kineze janë përgjigjur duke thënë se jo çdo vdekje duhet t’i atribuohet Covid-it.

Lajme të ngjashme