Covidi në Kinë: Franca, Spanja, Koreja Jugore dhe Izraeli shtrëngojnë rregullat
Pasi Italia vendosi që të rikthejë testimin për koronavirus për vizitorët kinez, me vendim të ngjashëm kanë dalë edhe Franca e Spanja.
Sipas BBC-së, qeveria franceze ka njoftuar se pasagjerët që fluturojnë nga Kina në Francë do të duhet të paraqesin një test negativ Covid të marrë brenda 48 orëve.
Megjithatë, Spanja ka bërë përjashtime për ata që janë plotësisht të vaksinuar.
Kujtojmë se Pekini, ka bërë të ditur se do të rihapë plotësisht kufijtë e tij javën e ardhshme, për herë të parë që nga marsi 2020, e rritja aktuale e Covid në vend ka shkaktuar shqetësim, pas raporteve se spitalet janë të mbushura.
Rregulla të reja testimi kanë njoftuar edhe Mbretëria e Bashkuar, Koreja e Jugut dhe Izraeli, ndërsa kufizime kanë vendosur edhe ShBA e India.
Deri më tani, as Franca dhe as Spanja nuk kanë specifikuar se kur do të hyjnë në fuqi masat, megjithatë, ministritë franceze të shëndetësisë dhe transportit thanë se qeveria do të publikonte një dekret dhe do të njoftonte vendet anëtare të BE-së.
Të enjten, agjencia e BE-së për parandalimin e sëmundjeve ka thënë se masa të tilla nuk ishin të justifikuara në Evropë, për shkak të niveleve të imunitetit dhe faktit që variantet që përhapeshin në Kinë ishin tashmë të pranishme në kontinent. Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka justifikuar këto masa, duke thënë se ishte "e kuptueshme" që disa vende kishin vendosur të vendosnin kufizime. OBSH po ashtu ka kërkuar nga Pekini më shumë transparencë në lidhje me shifrat e të infektuarve me Covid.
Në fillim të javës, ministria e Jashtme e Kinës tha se "situata e saj epidemike" në përgjithësi ishte "e parashikueshme dhe nën kontroll". Megjithatë, numri i vërtetë i rasteve dhe vdekjeve ditore në Kinë është i panjohur pasi zyrtarët kanë ndaluar së kërkuari që rastet të raportohen dhe kanë ndryshuar klasifikimet për vdekjet nga Covid.
