Covidi bllokon 80,000 turistë në 'Hawaiin e Kinës'
Pas një njoftimi nga autoritet për masa bllokimi për të frenuar një shpërthim të Covid-19, rreth 80,000 turistë kanë ngecur në qytetin turistik të njohur Sanya në ishullin tropikal Hainan të Kinës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se që nga mëngjesi i së shtunës, është pezulluar transporti publik ndërsa janë kufizuar edhe lëvizjet e njerëzve brenda qytetit. Ndërkohë, turistëve të bllokuar në ishull u është kërkuar qëndrimi atje edhe për shtatë ditë të tjera dhe pesë teste të Covid-19 përpara se të lejohen për t’u larguar.
Kufizimet e fundit në Kinë, vijnë në kulmin e sezonit të turizmit veror për ishullin, një destinacion popullor që shpesh quhet Hawaii i Kinës për plazhet me rërë, pyjet tropikale dhe hotelet e nivelit të lartë.
Sipas të dhënave nga kompania e gjurmimit të fluturimeve Variflight, mbi 80% e fluturimeve dhe trenave që nisen nga Sanya janë anuluar të shtunën.
Sipas zyrtarëve lokal, qyteti është ndarë në zona me rrezik të lartë dhe të mesëm, me masat e kontrollit që ndryshojnë në varësi të nivelit të rrezikut.

Ndërsa, sipas një njoftimi nga autoritetet shëndetësore provinciale të dielën në mëngjes, qyteti, i cili shtrihet në skajin jugor të ishullit Hainan,që nga 1 gushti ka regjistruar 827 raste, duke përfshirë 240 raste të konfirmuara dhe 173 infeksione asimptomatike të shtunën. Kina numëron veçmas rastet simptomatike dhe asimptomatike.
Numrat e së shtunës e bëjnë shpërthimin më të rëndë në Kinë, ndërsa studimet e reja bien dakord që kafshët e shitura në tregun e Ëuhanit me shumë mundësi janë ato që nisën pandeminë Covid-19.
Në këtë shpërthim të fundit, autoritetet kanë thënë se kanë zbuluar nënvariantin shumë të transmetueshëm Omicron BA.5.1.3, i cili ata besojnë se u përhap në ishull nëpërmjet kontaktit me tregtarët jashtë detit në portin e peshkimit Yazhou të Sanyas.
Masat e fundit në vend, vijnë pasi ekonomia e Kinës po lufton nën politikën e saj të rreptë "zero-Covid", në të cilën synon të shtypë përhapjen e infeksionit përmes bllokimeve, testimeve masive dhe kontrolleve të ashpra kufitare.

