“Covid-it po i shihet fundi, vdekjet në nivelin më të ulët që nga marsi 2020” - NACIONALE

“Covid-it po i shihet fundi, vdekjet në nivelin më të ulët që nga marsi 2020”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se numri i vdekjeve nga koronavirusi në mbarë botën, javën e kaluar ka qenë më i ulëti i raportuar që nga marsi 2020, duke shënuar kështu një pikë kthese në shpërthimin e pandemisë.

Në një konferencë shtypi në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, është shprehur se bota nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë për të ndaluar Covid-19.

"Ne nuk jemi ende atje, por fundi është në dukje," tha Tedros.

Në raportin e saj javor mbi pandeminë, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha se javën e kaluar vdekjet kanë rënë me 22% - në pak më shumë se 11,000 të raportuara në mbarë botën.

Megjithatë, OBSH ka paralajmëruar se testimi dhe mbikëqyrja jo strikte e Covid në shumë vende, do të thotë se shumë raste po kalojnë pa u vënë re. Agjencia poashtu lëshoi ​​një sërë përmbledhjesh politikash për qeveritë që të forcojnë përpjekjet e tyre kundër koronavirusit përpara rritjes së pritshme dimërore, duke paralajmëruar se variantet e reja mund të zhbëjnë përparimin e bërë deri më sot.

"Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi tani, ne rrezikojmë nga më shumë variante, më shumë vdekje, më shumë përçarje dhe më shumë pasiguri," tha Tedros.

OBSH raportoi se nënvarianti i omicron BA.5 vazhdon të dominojë globalisht dhe përbën gati 90% të mostrave të virusit.

Ndërkohë, Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19, tha se organizata priste valët e ardhshme të sëmundjes, por shpresonte se ato nuk do të shkaktonin shumë vdekje.

Ndërsa, sipas Associated Press, banorët e një qyteti në rajonin e largët perëndimor të Xinjiang, Kinë, kanë thënë se po përjetojnë uri, karantina të detyruara dhe pakësim të furnizimeve me ilaçe dhe nevoja ditore pas më shumë se 40 ditësh bllokimi të shkaktuar nga koronavirusi.

Javët e fundit, qeveria kineze ka urdhëruar testime masive dhe mbyllje të rretheve në qytetet anembanë vendit, nga Sanya në ishullin tropikal Hainan deri në Chengdu në jugperëndim dhe në qytetin port verior të Dalian.

Lajme të ngjashme