“Çnjerëzore”: Kritikohet ashpër marrëveshja Itali – Shqipëri për emigrantët, BE-ja kërkon informata
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit tha të martën se marrëveshja e Italisë me Shqipërinë për emigrantët është çnjerëzore dhe “i jep një goditje të mëtejme parimit të solidaritetit të BE-së”.
Imogen Sudbery, drejtoreshë e lartë e këtij komiteti për Evropë, tha se “secili e ka të drejtën themelore për të aplikuar për azil – pavarësisht nga vendi nga janë ose si arrijnë”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ky vendim i fundit nga Italia është pjesë e një fryme shqetësuese që e minon këtë të drejtë – duke u përqendruar te parandalimi i arritjes së Evropës nga njerëzit, më tepër se mirëpritja e tyre me dinjitet e respekt”- shtoi ajo.
“Çfarëdo partneriteti për migrimin, i arritur me shtete jashtë BE-së, duhet të jetë i kushtëzuar me respektimin e të drejtave themelore të personave në lëvizje”- tha më tej zonja Sudbery.

Kjo marrëveshje u kritikuar nga organizatat qeveritare që menaxhojnë anije në Detin Mesdhe.
Giorgia Linardi, zëdhënëse e organizatës joqeveritare për shpëtim, “Sea-Watch”, tha: “Marrëveshja me Shqipërinë paraqet një sulm të frontit të ri nga qeveria italiane ndaj ligjeve ndërkombëtare e të BE-së për azil, duke e shfrytëzuar dëshirën e njohjes ndërkombëtare dhe brishtësinë e vendeve të treta për t’iu shmangur përgjegjësive të veta për azilin.”
“Meloni po e imiton modelin e kontaktit të jashtëm, të promovuar nga Mbretëria e Bashkuar në Ruandë, që ishte dënuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ishte bllokuar nga gjykatat britanike, njësoj si në Itali që gjyqësori i ka rrëzuar amendamentet e reja që e shkatërrojnë lirinë të ligjit Cutro”- shtoi ajo.
Marrëveshja mes dy vendeve që kanë marrëdhënie të mira u kritikua edhe nga deputeti italian, Brando Benifei, anëtar i Partisë Demokratike të Italisë. Ai shkroi në rrjete sociale se marrëveshja është e gabuar dhe nuk zgjidh asnjë problem, duke theksuar se delegacioni i partisë së tij ka dorëzuar një pyetje në Komisionin Evropian.
L’accordo tra #Italia e #Albania è sbagliato e non risolve nessun problema: come @eurodeputatipd abbiamo depositato un’interrogazione alla #CommissioneEuropea e ci opporremo in tutti i modi!
— Brando Benifei (@brandobenifei) November 7, 2023
Komisioni Evropian ka thënë se çfarëdo marrëveshje në të cilën Italia hyn me Shqipërinë në lidhje me trajtimin e kërkesave të azilkërkuesve duhet t’i respektojë ligjet ndërkombëtare dhe të BE-së.
“Kemi kërkuar hollësi nga autoritetet italiane për marrëveshjen... dhe porsa të kemi kohë për të shikuar më shumë në hollësi, do të jemi të lumtur që t’i bëjmë të njohura pikëpamjet tona”- tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.